Një ditë pas deklaratës së Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka hedhur kritika ndaj komunitetit ndërkombëtar në lidhje me këtë kërkesë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Osmani në një intervistë që ka dhënë mbrëmë për Interaktiv, ka tërhequr paralele me aktgjykimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit dhe atë për Asociacion e Komunave Serbe.
Osmani ka thënë se “askush s’mund t’i kërkojë Kosovës që ta zbatojë vendimin për Manastirin por të mos e zbatojë vendimin e Kushtetueses për Asociacionin”.
“Nëse kërkohet nga komuniteti ndërkombëtar që të shtyhet çështja e zbatimit të Manastirit të Deçanit, pyetja është pse nuk janë aq të zëshëm edhe për shumë e shumë vendime të tjera të Gjykatës Kushtetuese që nuk janë zbatuar në praktikë, pra nuk mund të ketë qasje të ndarë që të kërkohet vetëm njëri të zbatohet e jo të tjerat. Nuk mundet askush me i thënë institucioneve të Kosovës zbatojeni vendimin për Manastirin e Deçanit por mos e zbatoni atë për Asociacionin”, ka thënë Osmani.
Lidhur me këtë çështje Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier një ditë më parë në një intervistë në Klan Kosova kishte thënë se SHBA-të dhe në përgjithësi shtetet e QUINT-it janë të zhgënjyer me moszbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Hovenier, i cili ka thënë se në lidhje me këtë çështje ka pasur diskutime ditët e fundit me Qeverinë e Kosovës, ka përsëritur se për bashkësinë ndërkombëtare është shumë e rëndësishme që vendimet që dalin nga Kushtetuesja të zbatohen.
“Për Manastirin e Deçanit mendoj se Qeveria e ShBA-së dhe tërë partnerët tanë të QUINT-it janë plotësisht të qartë se për ne kjo është një çështje e sundimit të ligjit. Kam dëgjuar shumë argumente dhe shumë shqetësime për vendimin e Gjykatës dhe shumë sugjerime për faktorë të ndryshëm që është dashur të merren parasysh në marrjen e këtij vendimi. E drejtë, por me sa di unë, këto çështje janë ngritur gjatë procesit fillestar në Gjykatë dhe pastaj pas një vendimi të Gjykatës së Apelit ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, dhe në demokraci kur Gjykata Kushtetuese merr një vendim, pritjet janë që të zbatohet. Pra, ne besojmë se është e rëndësishme që vendimi për Gjykatën e Manastirit të zbatohet dhe kjo ka qenë pjesë e bisedës time me këtë Qeveri.
“Për ne kjo është zhgënjyese. E kemi bërë të qartë”, është shprehur Hovenier.
I pyetur se a mund të prodhojë pasoja për Kosovën moszbatimi i këtij vendimi, Hovenier ka thënë se kjo çështje ndikon në mënyrën se si shihet Kosova rreth gatishmërisë për të përmbushur të gjitha elementet e sundimit të ligjit, por është shprehur se nuk është diçka që në mënyrë fundamentale ndikon në partneritetin me SHBA-në.
“Është një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur. Sigurisht që ndikon në mënyrën se si shihet nga dikush se sa Kosova është e gatshme të përmbushur të gjitha elementet e sundimit të ligjit dhe ne besojmë që është e rëndësishme për këtë qeveri, ashtu si edhe për çdo qeveri para saj, sepse kjo nuk është qeveria e vetme që nuk e ka implementuar këtë vendim të Kushtetueses. Por nuk do të jetë diçka që në mënyrë fundamentale e ndryshon partneritetin tonë”, është shprehur Hovenier.
Në lidhje me këtë çështje thuajse në një linjë me presidenten Osmani, ishte deklaruar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti disa javë më parë duke folur për çështjen e pronësisë së tokës rreth Manastirit të Deçanit kishte deklaruar se në ka shumë shkelje në këtë aktgjykim, derisa ka shtuar se pushtetet janë të ndara dhe se nuk duhet të përzihen.
“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, a nuk janë të ndara pushtetet? Pushteti ekzekutiv dhe pushteti gjyqësor? Pse kaq shumë kërkesë nga Qeveria e Kosovës që në njëfarë mënyrë të ndërthuret me një shtyllë tjetër të pushtetit? Vazhdimisht është kërkuar që ne të mos përzihemi në shtyllat e tjera të pushtetit, që natyrisht është tipar i demokracisë, mirëpo në këtë rast kërkohet vazhdimisht që ne të jemi aty pranë Gjykatës Kushtetuese. Ajo e bën punën e saj sipas diskutimeve dhe mendimeve që ka. Ne jemi një organ tjetër dhe jo vetëm për nga shkalla, por edhe nga natyra e Republikës së Kosovës”, ishte shprehur Kurti.
Nga koha kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendimin në favor të Manastirit të Deçanit, komuniteti ndërkombëtar ka bërë vazhdimisht thirrje për zbatimin e tij, duke kërkuar që Manastiri të lejohet të regjistrojë në kadastër edhe 24 hektarë tokë dhe pyje.
Në një deklaratë të fundit, pesë vendet e QUINT-it në Kosovë, që përbëhen nga Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të nis zbatimin e vendimit të Kushtetueses për pronësinë e Manastirit të Deçanit.
Sipas tyre, moszbatimi i këtij vendimi dhe vendimeve të tjera të gjykatës minon zotimin e Qeverisë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektin e saj për gjyqësor të pavarur./Reporteri.net
QUINT-i kërkon nga Qeveria e Kosovës të respektojë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit