×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Aktgjykimi

    Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq dënohen me burgim të përjetshëm për Banjskën, Dushan Maksimoviq me 30 vjet

    Reporteri
    24 Prill 2026 | 15:07

    Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shpallur fajtor dhe dënuar me burgim të përjetshëm Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra heroi Afrim Bunjaku, shkruan Reporteri.net.

    I akuzuari tjetër Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.

    Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arni.

    Kuvendi i Kosovës e duartrokiti aktgjykimin.

    Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu njoftoi për aktgjykimin në mes të seancës, ku deputetët u ngritën në këmbë dhe duartrokitën.

    Haxhiu tha se drejtësia nuk përfundon pa dorëzimin e kryeterroristit Radojçiq dhe terroristëve të tjerë.

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kërkoi dënim maksimal edhe për të tjerët e përfshirë në këtë sulm e që janë identifikuar në krye me Milan Radoiçiq.

    “Në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë duhej dhe duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët. Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim”, ka shkruar Sveçla.

    Sveçla tha se strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar dhe se rendi kushtetues është mbrojtur.

    “Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion”.

    Ai shtoi se dënimi nuk e kthen heroin Afrim Bunjaku, por është “një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe për dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe gjithë qytetarët tanë”.

    “Ky vendim duhet të jetë një mesazh i qartë: kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë”.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

    Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!