Komisionerët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë përplasur mes vete në Sallën “1 Tetori”, ku po numërohen votat e kandidatëve për deputetë e po bëhet verifikimi i rezultateve të partive.
Përplasja mes tyre ka nisur për një votë, ku sipas fletëvotimit të publikuar, ishte votuar LDK. Nga Vetëvendosje kanë kërkuar që kjo votë të shpallet e pavlefshme meqë shenja “tick” kishte dalë pak përtej katrorit. Kundër ka dalë komisioneri i LDK’së, që ka kërkuar që kjo votë të numërohet, duke thënë se “epiqendra është në mes”, përcjell Reporteri.net.
Pamje nga kjo përplasje ka ndarë kandidati për deputet i LDK’së, Paris Guri.
Për të qetësuar situatën e parandaluar përplasjen fizike ka ndërhyrë menjëherë Policia.
Gazeta Online Reporteri.net ka pyetur Policinë për këtë rast, por ndonëse kanë kaluar rreth dy orë nga ngjarja, ende nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.86 për qind të votave pas numërimit të 97.57 për qind të votave, sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përditësuara në ora 18:32.
Deri tani, PDK renditet e dyta me 22.04%, LDK e treta me 17.62%, kurse AAK 7.45%.
Ndërsa Koalicioni Lista për Familje ka marrë 2.29%./Reporteri.net
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.