×
  • Lajme
  • Lajme

    Votat e diasporës ia shtojnë Vetëvendosjes një deputet

    Reporteri
    03 Mars 2021 | 11:37

    Në 57 ka shkuar numri i deputetëve që Lëvizja Vetëvendosje ka fituar deri tash me numërimin e votave të rregullta, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, dhe me numërimin e mbi gjysmës së votave të diasporës. Para numërimit të votave të diasporës, VV-ja kishte siguruar 56 ulëse.


    Në 33 mijë e 488 votat e diasporës, VV-ja ka fituar 26 mijë e 79 vota apo 77.8 për qind duke thelluar diferencën në votat e përgjithshme me partitë tjera.

    Deri tash pas numërimit të 791 mijë e 288 votave të rregullta, 29 mijë e 490 votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta dhe 33 mijë e 488 votave të diasporës nga 56 mijë e 610 sa ishin në total, VV-ja ka siguruar 419 mijë e 568 vota apo 49.11 për qind të totalit. Kjo përqindje ka bërë që VV-ja të shkojë në 57 deputetë në Kuvendin e Kosovës, sipas përllogaritjes “Sainte Lague” që përdoret për kalkulim të ulëseve në Kuvendin e Kosovës.

    Nga 854 mijë e 266 votat e numëruara deri tash, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 16.99 për qind apo 145 mijë e 205. Kjo parti ka siguruar 20 ulëse në Kuvend.

    Pesë ulëse më pak do të ketë Lidhja Demokratike e Kosovës që ka rënë dukshëm nën 13 për qind të votave sa kishte nga numërimi i votave të rregullta. Tash kjo parti ka 12.79 për qind të votave, apo në total më pak se 110 mijë vota nga mbi 854 mijë të numëruara.

    Partia e fundit parlamentare do të jetë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Grupi i saj parlamentar do të ketë tetë deputetë. AAK-ja e Ramush Haradinajt ka fituar 7.24 për qind të votave të numëruara deri tash. AAK-ja ka marrë 61 mijë e 854 vota.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!