Ka dështuar edhe tentativa e sotme për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. Kjo ishte seanca e nëntë me radhë çdo 48 orë, që nga 15 prilli. Në seancën e sotme, VV-ja propozuar që këtë herë votimi për kryeparlamentarin të bëhet me votë të fshehtë. Kjo është kundërshtuar nga të gjitha grupet parlamentare , çka çoi në ndërprerje të seancës.
VV-ja nuk mori votat e mjaftueshme që ta kalojë këtë propozim që nga partitë tjera u konsiderua si arbitrar dhe në kundërshtim me rregulloret e Kuvendit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë tjera dolën kundër ndryshimit të formës së votimit për kryeparlamentar. Asnjëra nga këto parti s’kanë propozuar anëtarë Komisioni.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme. Sipas Krasniqit, ndryshimi i mënyrës së votimit do të duhej të bëhej në fillim të procesit.
“z.Kurti të thash nuk keni të drejtë në mes të votimit me ndryshu formën e votimit. Prej kur ka Kuvend, kjo është e paprecedentë. Sikur të kishi vendos në fillim ndoshta do të ishte e pranueshme, por tani s’është e pranueshme. Mos e thelloni krizën…Propozoni dikë që i merr votat dhe ju e dini që ka në mesin tuaj të tillë”, deklaroi Krasniqi.
Ndërkohë, Hykmete Bajrami nga LDK deklaroi se në rast se ndodhë do ta dërgojnë këtë lëndë në Kushtetuese.
“Ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve tuaja. Ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve tuaja. Nuk mundesh me e ndryshu mënyrën e votimit pasi ke hy në proces. Ne jemi në proces dhe krejt çka lejohet është të procedojmë me votim. Në qoftë se procedoni, ne këtë lëndë do ta dërgojmë në Kushtetuese”, ka thënë Bajrami.
Ndonëse nuk ishte prezent në seancë, reagoi edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se këto veprime janë arsye për refuzimin e tij e LDK’së që të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ftesë që u pranua nga Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi.
“Është interes kombëtar refuzimi i qasjes së tillë politike, jo nënshtrimi e dorëzimi para saj. Shpresoj dhe partitë tjera ta kuptojnë këtë gjë sa më parë. LDK e ka të qartë. Prandaj është konsistente. Para, gjatë e pas zgjedhjeve. Prandaj votuesi e mbështetësi i LDK-së sot rri krenar!
Votimin e fshehtë e ka refuzuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, ka shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me zhvillimet e sotme në vazhdimin e seancës konstitutive.
“Ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të seancës, në mënyrë arbitrare nga kryesuesi dhe pa bazë në Rregulloren e Punës së Kuvendit, përbën shkelje të parimeve procedurale dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Kuvendit”, thuhet në një reagim të KDI-së në Facebook.
“Ky veprim jo vetëm që bie ndesh me standardet e një legjislature demokratike, por minon edhe besimin publik në rregullsinë dhe integritetin e proceseve parlamentare”, thekson KDI.
“Çdo përpjekje për të ndryshuar rregullat gjatë lojës – veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike – dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit”, thuhet më tutje në reagim.
“KDI fton kryesuesin e seancës, z. Dehari, dhe të gjithë deputetët, e në veçanti grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të respektojnë standardet procedurale të përcaktuara në Rregullore dhe të veprojnë në përputhje me normat e përgjegjësisë institucionale dhe politike që i kërkon funksioni përfaqësues”, përfundon reagimi i KDI-së.
Kandidatja e VV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu tash e gjashtë herë nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në krye të këtij institucioni. Në seancën e fundit, ajo mori vetëm 54 vota, më pak se radhët e kaluara.
PDK, LDK dhe AAK disa herë i kanë kërkuar VV-së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë.
Për të diskutuar për daljen nga ngërçi në Kuvend, Kurti pati të ftuar në takim pak para nisjes së seancës Memli Krasniqin e PDK-së, ndërkohë që nga LDK refuzuan ftesën. Krasniqi pas takimit tha se i ka kërkuar Kurtit që ta ndryshojë emrin e të propozuarit për kryeparlamentar, por s’mori sinjale se kjo do të ndodhë.
Ai theksoi se për PDK-në është e rëndësishme që situata të zhbllokohet, por që vota për Kryeparlamentarin s’mund të imponohet.
“I kërkova me ndrru kandidaturën për Kryetar të Kuvendit. Nuk mora sinjale që do ta bëjë. Nuk mund të interpretoj diçka që nuk mora”.
“I kam thënë edhe Kurtit Për PDK-në është shumë me rëndësi që të zhbllokohet kjo situatë që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të hyjmë në afatet kushtetutese për zgjedhjen e qeverisë, dhe për të ndodhur kjo padyshim, privilegji i takon partisë që ka dalë e para”.
Një përpjekje e re për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të bëhet të shtunën, në ora 10:00. /Reporteri.net/