×
  • Lajme
  • -->
    Lajme / Votimi në përfaqësitë diplomatike

    Votat nga mërgata, këta janë kandidatët më të votuar deri më tani nga partitë politike

    Reporteri
    27 Shkurt 2025 | 9:44

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar rezultatet nga numërimi i 44.19 për qind të vendvotimeve nga përfaqësitë diplomatike.

    Sipas rezultateve të deritanishme, kur numërimi ka përfunduar në 19 kuti, nga 43 sa janë gjithsej, Lëvizja Vetëvendosje (VV) prin me 81.89 për qind të votave.

    Ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)e cila ka marrë 7.21 për qind të votave dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK)që ka marrë 5.75 për qind.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 1.54 për qind të votave e Koalicioni për Familjen 1.07 për qind.

    Më i votuari  nga Lëvizja Vetëvendosje është kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ku deri tani ka marrë 2 mijë e 886 vota, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Pas tij, radhitet kandidati për deputet Glauk Konjufca me 2 mijë e 510 vota, pasuar nga Hekuran Murati me 1 mijë e 544 vota, Xhelal Sveçla  me 1 mijë e 503 vota, dhe  Abulena Haxhiu, me 1 mijë 489 vota deri tani.

    Në pesëshen tjetër janë Donika Gërvalla, Faton Peci, Mimoza Kusari-Lila, Avni Dehari e Arben Vitia.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, më i votuari është kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku me 255 vota, pasuar nga Hykmete Bajrami me 156 vota, Kujtim Shala me 149 vota, Doarsa Kicha-Xhelili me 143 vota dhe Anton Quni me 120 vota, pasuar nga Avdullah Hoti, Jehona Lushaku-Sadriu, Armend Zemaj, Lutfi Haziri e Arben Gashi.

    Nga PDK më i votuari është kandidati për kryeministër Bedri Hamza, pasuar nga kreu i partisë, Memli Krasniqi, Vlora Çitaku, Uran Ismaili e Enver Hoxhaj. Në mesin e dhjetëshes më të votuar të PDK-së janë edhe Artan Behrami, Sala Jashari, Ganimete Musliu, Ragim Xahak e Përparim Gruda.

    Nga AAK dhe Nisma më i votuari është kandidati për kryeministër nga ky koalcion, Ramush Haradinaj, pasuar nga Fatmir Limaj i Nismës, Daut Haradinaj, Ardian Gjini, e Besnik Tahiri, Time Kadriaj, Bekë Berisha, Rasim Selmanaj, Lahi Brahimaj e Diellza Kukaj.

    Krahas votimit përmes postës, shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë për herë të parë kanë pasur mundësi që të votojnë fizikisht nëpër përfaqësi diplomatike, kjo pas ndryshimeve ligjore që janë bërë.

    Votimi jashtë Kosovës është është zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 43 vendvotime. Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar, kanë votuar 75.57% e tyre apo 15 mijë e 352.

    Përfundimi i numërimit të votave të diasporës, do të pasojë me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, dhe kështu do t’i hapet rruga shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe certifikimit të tyre.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të premten ka përfunduar me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë e verifikimin e atyre për subjekte politike./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!