“Votojmë vetëm në Kosovë”, flasin banorët serbë të Graçanicës për referendumin

Qytetarët serbë të Graqanicës janë të gatshëm të votojnë në referendumin për ndryshimet kushtetuse të organizuar nga Serbia. Por, ata thonë që votojnë vetëm nëse referendumi mbahet edhe në Kosovë.

“Nëse hapen vendvotimet, po. Gjithçka varet prej Kuvendit sot, çfarë vendimi do të marrë dhe nëse lejojnë që të votohet në mjediset serbe, atëherë po, do të votoj.”

“Vështirë që të mbahet ai referendum, pasi që për çdo ditë i dëgjojmë teksa thonë se nuk do të mundësohet të mbahet ai. Mendoj se nuk do të mbahet.”

Megjithatë ka edhe qytetarë që nuk duan të përfshihen farë në këtë proces.

“Jo, natyrisht që jo. Nuk votoj fare, nuk më intereson aspak politika”.

Edhe pas insistimit të ambasadorëve të QUINT-it Qeveria e Kosovës vazhdon të mos e lejojë mbajtjen e referendumit të shtetit serb në Kosovë. Mirëpo, qytetarëve të saj që kanë dynënshtetësi u ka rekomanduar të votojnë me postë ose edhe në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

Pavarësisht kundërshtimit nga ekzekutivi kosovar, të premtën në mbrëmje për në Kosovë është nisur koordinatori zgjedhor serb, i cili është ndaluar nga Policia kufitare e Kosovë në Merdar.

Sipas këtij institucioni në pikën kufitare me Serbinë janë ndaluar një veturë dhe dy kamionë që dyshohet se bartnin material që do të përdorej për referendum. Policia njofton se materiali është dërguar në organet kompetente derisa gjatë personat janë kthyer prapa për në Serbi.

Ekzekutivi i Kosovës planifikon që përmes një rezolute e cila pritet të votohet të shtunën në Kuvendin e Kosovës të ndalojë përfundimisht organizimin e referendumit në Kosovë.