×
  • Lajme
  • Lajme

    Votojnë kandidatët e LDK-së dhe PDK-së për kryetar të Podujevës

    Reporteri
    29 Nëntor 2020 | 11:02

    Kandidati për kryetar të Podujevës nga rradhët e LDK-së, Nexhmi Rudari, ka votuar në shkollën ‘Naim Frashëri’ në Podujevë.


    Rudari, i cili shoqërohej nga dy nipat e tij të vegjël, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje, por në të njejtën kohë që të respektojnë masat anti COVID-19.

    “Falenderoj të gjithë këta komisionerë që janë zgjuar herët për të filluar një punë të mbarë. Është një ditë e jashtëzakonshme, sepse janë zgjedhje të jashtëzakonshme. I bëj thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë dhe të rrespektojnë masat kundër COVID-19, që ta kalojmë me sukses edhe këtë ditë të zgjedhjeve dhe sigurisht edhe këtë pandemi”, ka thënë Rudari.

    Përpos Rudarit, obligimin e tij qytetar e ka kryer edhe kandidati i PDK-së, Naim Fetahu i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht për të votuar për të parin e komunës së tyre.

    Fetahu pasi që ka votuar në shkollën fillore “Esat Mekuli” në fshatin Dobratin, tha se zgjedhjet lokale janë më të rëndësishme sesa ato nacionale për qytetarët.

    “Është një rast i veçantë e shpreh vullnetin e tyre qytetarët e komunës sonë. Zgjedhjet lokale janë të rëndësisë më të veçantë për qytetarët e komunës, sesa ato nacionale, sepse këto prekin drejtpërsëdrejti interesin qytetar të të gjitha kategorive, të rinjve, grave, burrave, pleqve, kategorive të dala nga lufta, biznesmenëve, ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në jetën e qytetarëve në punësimin, mirëqenien, shërbimet shëndetësore. Është rast i mirë që qytetarët e komunës tonë me votën e tyre të përcaktojnë njeriun që dëshirojnë t’i drejtojë komunën. Unë i ftoj të gjithë qytetarët pa dallim që të dalin në zgjedhje, të dëshmojnë një kulturë të jashtëzakonshme siç dinë me bë komuna jonë. Unë jam i sigurt që llapjanët dinë të votojnë, kemi dëshmuar edhe herave të tjera që jemi vërtetë të civilizuar”, tha ai.

    Ndërsa kandidati tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, nuk ka votuar ende.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!