×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja e 2023’ës në Dragodan: Djali i viktimës thotë se pasi përfundoi e pamja e babait, nëna i tregoi që ai ishte i kërcënuar me vrasjen e tij

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 23:07

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Ramadan Tahiri- djali i tani të ndjerit R.T., vazhdoi dëshminë edhe të martën, ku deklaroi se nëna dhe motra e tij pas vrasjes së babait, i kishin thënë se dikush e kishte kërcënuar tani të ndjerin se nëse ai do të shkonte me babanë e tij për t’u takuar me të akuzuarin Mustafë Mustafa tek Hotel Adria, dikush do ta vriste.

    Në këtë rast, Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T., në Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje, kurse Mustafë Mustafa po akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa për manipulim me prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Baba i ka thënë nënës që nëse e marr këta, që m’u ka referu mua, ka me pas ndonjë problem, mundet me ndodh diçka e keqe. Dikush i kishte thënë që munden edhe me më vra. Këto fjalë m’i ka thënë nëna dhe motra”, tha Tahiri.

    Këtë deklarim, ai e bëri derisa po merrej në pyetje nga mbrojtësi i Mustafës, avokati Besnik Berisha.

    Kërcënimin për vrasje, të cilin e përmendi edhe në seancën e 25 marsit 2025, ai thotë se e kishte kuptuar pasi përfundoi e pamja për babanë e tij.

    Sipas dëshmitarit, kontesti në mes babait të tij dhe të akuzuarit Mustafa kishte ardhur si pasojë e asaj që ky i fundit i kishte prezantuar dokumente të falsifikuara për shitblerjen e dy banesave, në Fushë-Kosovë.

    Dëshmitari Tahiri deklaroi se për dy pagesat duhej të paguheshin 68 mijë euro. Tha se Mustafa ua kishte mbi 31 mijë euro borxh.

    “Banesat i kemi blere 68 mijë euro. Borxhi i Mustafës ka qenë 31 mijë e 500 euro, kombi ka qenë 1 mijë e 500 euro, që po bëjnë në total 33 mijë euro. Unë kam paguar 5 mijë euro atij presonit tek Arena që Mustafa i ka pas obligim, i kam paguar 15 mijë euro kesh dhe kam pas me i pagu edhe 15 mijë të tjera të cilat kam pas me ia dhanë kur të bëhet ndërtimi i banesave”, shtoi Tahiri.

    Sipas Tahirit, në takimin që kishte pasur “Te rrethi i Ismetit” në Prishtinë, i akuzuari kishte prezantuar përmes telefonit një dokument, me të cilin kishte treguar që banesat nuk janë në katin e pestë, por në të gjashtin.

    “Unë kam shku para se me u taku me Mustafën, me i kontrullu nëse janë kry banesat në katin e pestë dhe ka thënë, kur u takuam që banesat nuk janë kry. Ndërsa, ai më ka thënë se ato banesa nuk janë të tuat, por janë banesat në katin e gjashtë. Ndërsa, unë i kam thënë që e kam dokumentin që e ke shkru vetë me dorën tane dhe unë vetëm e kam njoftuar se i kam blerë në katin e pestë”, tha Tahiri.

    Ramadan Tahiri shtoi që ky dokument ishte i falsifikuar, pasi që dokumentin origjinal e kishte ai, e në të cilin theksohet se banesa është në katin e pestë.

    “Ai ka bërë fals një letër dhe më ka treguar me telefon të vetin, ndërsa dokumentin që më ka treguar mua, e që është fals, është pa përmbajtjen e katit dhe nuk është dëshmitari i shkruar. Kurse, unë e posedoj marrëveshjen ku është përcaktuar kati dhe është nënshkruar nga dëshmitari”, tha ai.

    Po ashtu, ai theksoi që pas këtij takimi, ai është takuar me të akuzuarit Mustafë dhe Avni, e në atë takim kishte qenë prezent edhe babai i tij tani i ndjerë, në të cilin takim ata ishin marrë vesh që i nderi R.T, në ditën kritike do të prezantonte dokumentet origjinale.

    I pyetur se përse në video-incizim viktima nuk shihet me dokumente në ditën kritike, dëshmitari tha se kjo nuk është e vërtetë.

    “Ai i ka pas dokumentet, prindi i ka qit i pari sipas dëshmitarëve të dëgjuar, pastaj i ka qit Mustafa”, tha Tahiri.

    Avokati Berisha e pyeti cila është e vërteta lidhur me kontratën për shitblerjen e banesave, të cilën dëshmitari e kishte lidhur me të mbrojturin e tij, pasi sipas tij, aty theksohet se Mustafa ka pasur borxh 58 mijë euro dhe që Tahiri është dashur të paguajë edhe 15 mijë euro, mirëpo që sot ai theksoi se borxhi në fakt ishte 31 mijë e 500 euro.

    Dëshmitari tha se ai nuk ka ditur lidhur me marrëveshjen dhe që ka pasur besim tek Mustafa.

    “Unë nuk kam ditë më shumë për marrëvshjen, atë e ka shkruar vetë Mustafa dhe unë i kam besu”, tha tutje dëshmitari.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Avni Mustafa ngarkohet se më 19 mars 2023, rreth orës 13:20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtinë, për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.T, duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit. Paraprakisht, thuhet se me vëllanë e tij Mustafë Mustafa ishin takuar me tani të ndjerin dhe dy dëshmitarë, e që pas fjalosjes nisën të dalin nga hoteli ku i akuzuari Avni nxjerr revolen nga çanta e repetit dhe ia drejton R.T., e ky i fundit me qëllim të vetmbrojtjes nxjerrë thikën dhe e godet të pandehurin Mustafë e më pas të pandehurin Avni. Kështu, thuhet se duke u rrahur dalin jashtë hotelit, e më pas i pandehuri Avni shtie me armë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse viktimës R.T.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 të Kodit Penal dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Aktakuza thotë se i akuzuari tjetër, Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë, akuzohet se mori pjesë në rrahje të tani të ndjerit dhe se posedoi thikë, të cilën ia kishte marrë tani të ndjerit. Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Ndërkaq, i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, par.1 të Kodit Penal, pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga i pandehuri Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastaava”, me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!