Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Endrit Nika po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë më 2023, babai i të akuzuarit- S.N., tha se djali i tij i kishte treguar se tani e ndjera kishte pasur një mosmarrëveshje me të natën kritike dhe ajo kishte rënë nga dritarja.
Duke treguar për bisedën që kishte pasur me të akuzuarin Endrit Nika, babai i tij thotë se ai i kishte treguar se pasi kishte dëgjuar një zhurmë, kishte dalë jashtë dhe e kishte parë viktimën që kishte rënë nga dritarja, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Jam nis në drejtim të derës, veç kur e kam ni një zhurmë dhe kam bërtitë K, K (emri i viktimës) dhe e kam pa që nuk është aty. Kur kam dalë jashtë dhe e kam pa, më ka hup orientimi, jam kthyer sërish në dhomë, e kam marrë një xhaketë të M.K-U, e kam veshur”, citoi dëshmitari bisedën me djalin, duke shtuar se ai kishte marrë xhaketën pasi kishte qenë i zhveshur kur ka dalë jashtë.
Ai tha se djali i tij i kishte treguar se më pas kishte vazhduar shkallëve poshtë duke bërtitur “Ndihmë, ambulanca!”.
“Kur e ka pa K., në tokë, është mundu në atë mënyrë e vetme me ndihmu. Dhe në ato momente ajo i ka thënë: ‘Tregoju mamit dhe babit që i dua shumë’”, tha babai i të akuzuarit për bisedën që kishte pasur djalin.
Dëshmitari e bëri këtë deklarim pasi që anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Medie Bytyqi, e pyeti se nga biseda që kishte pasur me të akuzuarin, çfarë i kishte thënë ai lidhur me rastin.
S.N., tregoi që sipas bisedës që kishte pasur me Endritin, ai i kishte thënë që kishte pasur disa mosmarrëveshje me tani të ndjerën në natën kritike.
“Ai më tha që pak para se me hy në hotel, edhe kur janë hy në dhomë, i kam pas disa mosmarrëveshje. Më tha fjalët jam kanë dhe ma ka gjujt do ujë, dhe më tha: ‘Çu, trego kush është ajo vajza që ke kërcy me ta në dasëm’”, tregoi tutje dëshmitari.
Dëshmitari tha që i akuzuari me tani të ndjerën kishin jetuar përafërsisht një muaj me familjen e tij dhe gjatë kësaj periudhe ata kishin pasur marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Tha që lidhur me rastin është njoftuar nga vëllai i gruas së tij.
“Jemi hy në kerr dhe kemi shku në Polici në Krime të Rënda. I thashë ‘Çka na ka ndodhë, Arton?’ Më tha: ‘Bënu i fortë, se Endriti me M.K-U kanë pas fjalosje dhe ai e ka pak prej ballkonit edhe e ka gjujt në tokë.’ Beso, mendtë janë kanë tu më lanë, e kam përjetu shumë rëndë. Dhe më kanë dërgu në Polici në Prishtinë, dhe aty më ka thënë që duhet me dhënë deklaratë”, tha ai.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohet edhe dëshmitarja E.L., por mungoi. Andaj, për të kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri lëshoi urdhëresë për sjllje me detyrim.
Pasi që nuk kishte kushte për të vazhduar, seanca u ndërpre për të vazhduar një ditë tjetër.
Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.
Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.