Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është deklaruar pas mbajtjes së mbledhjes së grupit ndërministror pas vrasjes makabre të një gruaje shtatzënë para Gjinekologjisë mbrëmë në Prishtinë.
Haxhiu para mediave tha se viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psiqike dhe fizike dhe Prokuroria personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt.
Haxhiu ka kërkuar përgjegjësi nga të gjitha institucionet përkatëse, teksa ka paralajmëruar se do të ketë shkarkime e dorëheqje në rast se vërtetohet se personat përgjegjës nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur viktimën, shkruan Reporteri.net.
“Mbrëmë një grua bashkë me foshnjën e saj që priste ta sillte në jetë i vra para objekti të Gj, Ishte një rast i rëndë dhe i trishtë që na tregon se sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash dhe grash. Me urgjencë kemi mbledhur grupin ndërministror. Kemi diskutuar për veprimet institucionale në lidhje me këtë rast. Sipas informacioneve nga Policia viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psiqike dhe fizike dhe Prokuroria personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegjësi institucionale, e prokurorit të rastit sepse në vazhdimësi po bëjmë thirrje të mbrohet jeta e grave dhe vajzave. Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të jetë parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera që për shkak të hetimeve nuk mund ti bëjmë të ditura. Por, ju garantoj që secili prej institucioneve, qoftë nga Policia, qoftë nga MSH, qoftë nga qendrat për punë sociale janë të obliguar të verifikojnë secilin veprim institucional prej momentit kur është raportuar dhuna ndaj viktimës. Ky rast na tregon që edhe përkundër veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë. Ky rast duhet të na bëjë të angazhohemi edhe më shumë derisa të ofrojmë siguri të plotë për gratë”, tha Haxhiu.
Ajo madje paralajmëro se do të ketë edhe përgjegjësi penale, në rast se vërtetohet dështimi institucional në këtë rast.
“As prokuroria as gjykatat, përfaqësuesit e tyre nuk ishin të pranishëm. Do të duhej të kishin më shumë ndërgjegje edhe morale, njerëzore e profesionale. Nuk kam koment për veprimet e tyre. Në momentin që do të verifikohet dëshmimi institucional, personi përgjegjës do të japë dorëheqje. Kompetencat janë të ndara, por ju garantoj që nëse shohim që ka dështu dikush, do të ketë, dorëheqje e shkarkime. Këto janë kërkuar edhe në rastet e kaluara kur ka dështuar Prokuroria. Asnjë dorëheqje, asnjë shkarkim. Kjo po i inkurajon kriminelët e vrasësit. Këtu vjen në shprehje edhe përgjegjësia penale nëse vërtetohet se personat përgjegjës nuk e kanë kryer detyrën”, u shpreh Haxhiu. /Reporteri.net