Janë zbardhur detaje të reja lidhur me vrasjen që tronditi sot Podujevën, ku në fshatin Peran dyshohet se babai vrau djalin me kallash shkaku i një toke, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas raportimeve të mediave, babai e qëlloi djalin derisa i njëjti ishte duke punuar në ara me traktor.
Raportohet se i dyshuari për vrasje dhe viktima kishin pasur probleme me njëri-tjetrin dhe raste në Polici, edhe më herët.
Këto raportime s’janë konfirmuar ende zyrtarisht.
Ndryshe, vrasja ka ndodhur rreth orës 18:00. Detaje për rastin ka dhënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai ka deklaruar se Policia ka iniciuar tashmë një hetim për të sqaruar të gjitha rrethanat e vrasjes.
“Rreth orës 18:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Peran të komunës së Podujevës. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para, bëhet e ditur se një person, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma zjarrit. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ana e mjekëve emergjent. Policia ka iniciuar një hetim me synim sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin.”, ka deklaruar Borovci./Reporteri.net