Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka folur për mediat sot pas ngjarjes së rëndë që ndodhi brenda një familje turke që po qëndronte në Prizren.
Një vajzë e mitur, 15 vjeçare, ka mbetur e vdekur nga plagët me thikë që ia shkaktoi babai i saj, ndërsa po ashtu lëndime ka marrë edhe vajza tjetër e mitur, 10 vjeçare, si dhe bashkëshortja e tij.
Kryeziu tha se familja turke po qëndronte në Prizren qe gjashtë muaj dhe se s’ka pasë të raportuar ndonjë rast për dhunë në familje apo vepër tjetër penale, raporton Gazeta Express.
“Nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, janë shtetas të huaj dhe mund të konfirmoj se në bazë të informatave zyrtare në këtë banesë ku ka ndodhur ngjarja, ata janë duke banuar qe gjashtë muaj. Me siguri që kanë banuar edhe më herët në Kosovë, por këto janë informatat e para që i ka prokuroria”.
“Nuk kemi pasë të raportuar ndonjë rast apo të ketë qenë në hetime për ndonjë rast çfarëdo qoftë, as për dhunë në familje as për ndonjë rast tjetër”.
Detaje të tjera dha edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë, Faton Alija, i cili familjen e përshkroi si “të rregullt që ka punuar”.
Ai tha se policia ka marrë informatën me telefon dhe se menjëherë iu ka përgjigjur thirrjes dhe se ka provuar bashkë me emergjencën që t’i japë viktimës ndihmën e parë, por ajo s’i ka mbijetuar plagëve.
Alija tha se ndihmë mjekësore kanë pranuar edhe dy viktima tjera, vajza dhe gruaja e të dyshuarit, i cili po ashtu ka lënduar edhe veten dhe tash po merr trajtim mjekësor.
“I dyshuari është nën mbikëqyrje policore. Mjeti është në vendin e ngjarjes, njësitë relevante janë në vend të ngjarjes duke kryer hetimet”.
Ai tha se do të angazhohen për zbardhjen e rrethanave të tjera “që kanë çuar deri këtu”.
“Ka qenë familje e rregullt që ka punuar”, tha ai.
Vajza e mitur, sipas njoftimeve, është transportuar për Prishtinë me shenja jete, shtoi ai.
“I dyshuari ka vetëlëndime, por është jashtë rrezikut për jetën”.