Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se dy ditët e fundit kanë sjellë ndodhi tragjike dhe se nuk ka fjalë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen dhe shqetësimin për humbjen e jetëve të qytetarëve.
Ai ka njoftuar se kanë thirrur mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
“Ky ka qenë një moment shumë i vështirë për të gjithë ne dhe për komunitetin tonë. Për këtë arsye, direkt kam thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi”, ka thënë Idrizi.
Idrizi iu ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe qytetarëve të Vushtrrisë.
“Organet e sigurisë po i trajtojnë këto dy raste dhe ne presim që drejtësia ta thotë fjalën e fundit”, ka thënë tutje ai.
Një krim i rëndë ka ndodhur dje në Vushtrri, ku për pasojë dy persona kanë mbetur të vrarë. Një 58-vjeçar dyshohet se ka vrarë një 42-vjeçare, e më pas ka qëlluar edhe veten.
Kjo ngjarje tragjike erdhi pas vrasjes së 19-vjeçarit të dielën mbrëma në këtë qytet.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se pasditen e së hënës një burrë dyshohet se fillimisht ka vrarë një grua, e më pas edhe veten. Viktima është një 42 vjeçare.
Në komunë vrasje ka pasur edhe të dielën. Viktima është një 19-vjeçar, teksa edhe i dyshuari është i po të njëjtës moshë.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Galip Badivuku”.
“I pandehuri B.D., me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën ‘Galip Badivuku’ në Vushtrri, me dashje e privon nga jeta viktimën me iniciale A.Z., ashtu që me armën e zjarrit tip pistoletë, e gjuan dhe e godet së paku tri (3) herë në trup, ku viktima si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë”, ka deklaruar Prokuroria për ngjarjen./Reporteri.net/