×
  • Lajme
  • Lajme / Ndalimet në kufi

    Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

    Reporteri
    19 Prill 2024 | 15:19

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar si “hipokrit” reagimin e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me një numër të madh të qytetarëve të Kosovës që u ndaluan nga autoritetet serbe në pikat kufitare të Serbisë ditë më parë.

    Vuçiq tha të premten se në ditët e kaluara “asnjë autobus nuk është ndaluar në kufirin serb”, por disa persona janë ndaluar në Serbi për t’u marrë në pyetje.

    Më 17 prill, sipas autoriteteve në Kosovë, Serbia i ndaloi mbi 1.400 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë, të cilët po kalonin transit nëpër Serbi.

    Për këtë reaguan Bashkimi Evropian dhe Departamenti amerikan i Shtetit, duke e kritikuar Serbinë për shkelje të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes dy vendeve.

    DASH thirrje autoriteteve serbe për transparencë: Arrestimi i policëve të Kosovës përshkallëzon situatën

    “Nuk ka njeri në botë që nuk ka reaguar [për këtë]”, tha Vuçiq, duke e vlerësuar si “hipokrit” reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.

    “Dy ose tre persona u ndaluan për t’u marrë në pyetje dhe të gjithë u liruan. Njëri prej tyre u mor në pyetje sepse ishte në UÇK (Ushtria Çlirimtare e Kosovës)”, tha Vuçiq në një stërvitje ushtarake në Peshter.

    Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë, përfshirë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me kombësi serbe, Dejan Jankoviq.

    Qeveria e Kosovës këto veprime i cilësoi si hakmarrje e Serbisë ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

    Serbia i mohoi akuzat, duke thënë se vonesat u shkaktuan nga masat shtesë të sigurisë në kufi, dhe se lëvizja e qytetarëve kosovarë “nuk është kufizuar”.

    Departamenti amerikan i Shtetit i bëri thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi dje.

    “Ndalimet arbitrare ose padrejtësisht të gjata, veçanërisht nëse synojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese të dëmshme për paqen dhe stabilitetin. Shpresojmë në lirimin e menjëhershëm të oficerit të Policisë së Kosovës, i cili është ende i ndaluar nga autoritetet serbe”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për Reporteri.net gjatë ditës së djeshme.

    BE reagon për ndalimin e autobusëve me kosovarë në kufi: Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!