Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë sot se në takimin në Uashington, Serbia nuk pranoi njohjen e ndërsjellë me Kosovën.
“Por ajo që ishte kurdisur atje, në fakt, ata dëshironin që ne të themi se është në rregull që Izraeli të njeh pavarësinë e Kosovës. Ne këtu nuk deshëm të përzihemi. Deklaruam se Izraeli është shtet sovran, ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë, ndërsa nga ana jonë Izraelit i dërguam një mesazh fare të qartë”, ka thënë Vuçiq, në një intervistë për “Dnevni Avaz”.
Ai deklaroi se Izraeli është një shtet sovran, sipas tij, ka të drejtë të bëjë atë që dëshiron.
“Unë mendoj se kemi bërë një marrëveshje shumë të mirë, me faktin se kur e bëni atë me amerikanët, të paktën e dini se do të ketë ndikim për t’i vënë ato gjëra në praktikë. Unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe duhet të pozicionohemi në atë mënyrë”, tha Vuçiq.
Ai ka folur edhe për ‘Mini-Schengenin’
“Pas një kohe të gjatë, Prishtina pranoi të marrë pjesë në atë që e quajmë ‘Mini-Schengen’, që është një gjë e jashtëzakonshme edhe për Shqipërinë, edhe për Serbinë, por edhe për boshnjakët”, ka deklaruar Vuçiq.