×
  • Lajme
  • Lajme

    VV dhe LDK betonohen rreth postit të presidentit

    Reporteri
    19 Dhjetor 2019 | 7:52

    Lidhja Demokratike e ka betonuar qëndrimin që koalicioni me Vetëvendosjen të nënshkruhet vetëm me kushtin që pjesë e marrëveshjes të jetë edhe posti i presidentit. Këtë e ka bërë nëpërmjet organit më të lartë partiak – Këshillit të Përgjithshëm, të cilin e ka mbledhur të mërkurën kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.


    Por, në Vetëvendosje kanë thënë se nuk do t’ia përmbushin “apetitin” LDK-së. Skeptik se do të arrihet marrëveshja është shfaqur edhe pretendenti për kryeministër, Albin Kurti, i cili ka thënë se LDK-ja do të duhej ta mblidhte Këshillin pasi të jetë arritur marrëveshja, shkruan sot Koha Ditore.

    Në anën tjetër, pavarësisht mungesës së marrëveshjes, Kryesia e vjetër e Kuvendit të Kosovës i ka nisur procedurat për konstituimin e legjislaturës së shtatë. Nëse partitë shkojnë pa marrëveshje në seancën e 26 dhjetorit, atëherë do të përsëritej ngërçi i vitit 2014 dhe 2017.

    LDK-ja insiston në presidentin

    Të mërkurën në Prishtinë, Lidhja Demokratike e Kosovës mblodhi Këshillin e Përgjithshëm.

    Pas takimit treorësh, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka shpalosur qëndrimin e këtij organi partiak përkitazi me marrëveshjen eventuale të koalicionit me VV-në. Këshilli ka kërkuar që në marrëveshje të reflektohet përkrahja të cilën e ka marrë kjo parti në zgjedhjet e 6 tetorit, qoftë në ndarjen e përgjegjësive apo edhe në programin qeverisës, për të cilin dy partitë tanimë janë dakorduar. Sipas interpretimit që Këshilli i ka bërë rezultatit zgjedhor të 6 tetorit, LDK-së duhet t’i takojë posti i kryetarit të Kosovës, i kryeparlamentarit, posti i zëvendëskryeministrit të parë, si dhe ndarja e ministrive të bëhet në mënyrë të barabartë…

    VV-ja nuk e pranon kërkesën e LDK-së për presidentin

    Pas këtij zhvillimi, kanë reaguar zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje duke e përjashtuar mundësinë që t’i pranojnë kërkesat e LDK-së.

    “Mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm e përdorën për ta betonuar apetitin e tyre. Përveç që i duan zv.KM e parë, 5 ministri dhe gjysmën e programit, LDK e do edhe kryeparlamentarin, edhe presidentin. Pra, e duan gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër! Jo falemnderit”, ka shkruar në “Facebook”, anëtarja e Kryesisë së VV-së, Albulena Haxhiu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!