Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme e cila ia rrëzoi si të pathemeltë ankesën për votat me postë, teksa ka kërkuar edhe masë të përkohshme, shkruan Reporteri.net.
Vendimin e Supremes, kjo parti e ka cilësuar si “absurd dhe të ndikuar politikisht”, shkruan Reporteri.net.
“Konsiderojmë se është detyrë e të gjithëve dhe veçanërisht e inistutcioneve të thirrura që të ruajnë vullnetin e shprehur të qytetarëve në procesin zgjedhor, vullnet nga i cili buron legjitimiteti i secilit institucion të Republikës. Kësisoj, vetëm një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese do të ishte siguresë e ndalimit të deformimi të tillë.
Në këto rrethana vendimi në kohë sa më të hershme në lidhje me kërkesën për masë të përkohshme do të ishte mundësi e vetme e parandalimit të tjetërsimit dhe deformimit të vullnetit të shprehur të qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025”, thuhet në njoftim.
Dërgimin e këtij vendimi në Kushtetuese e paralajmëroi Sami Kurteshi në mbledhjen e KQZ’së. Kurteshi tha se pa u marrë një vendim edhe nga ana e Kushtetueses, lidhur me ankesën e tyre për votat me votë, gjë që ata i konsiderojnë se është bërë manipulim i votave, ai shtoi se deri atëherë s’do të votojë për certifikimin e rezultateve.
“Kemi kërkuar anulimin e votave me postë dhe rivotimin, Supremja se ka miratuar. Do të ndjekim rrugët ligjore dhe do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesën për masë të përkohshme për moszbatimin të kësaj pjese të votave, dhe në këtë rast, unë po informoj edhe KQZ-në, që derisa të përfundojnë munëdsitë ligjore, unë nuk mund ta votojë certifikimin e këtyre rezultateve”, tha Kurteshi.