Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit si edhe partitë tjera, thotë se është gati për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Nga kjo parti thonë se vendi si kurrë më parë ka nevojë për një qeveri që udhëhiqet nga ta.
Por të vetëdijshëm se nuk mund ta krijojnë të vetëm, pranojnë se kanë nisur diskutimet për një koalicion të mundshëm me LDK-në.
Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu thotë për Reporteri.net se partia e tyre është aktualisht e fokusuar të mbërrijë deri te data e zgjedhjeve.
“Vetëvendosje asnjëherë nuk ka qenë më e gatshme për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ka kohë të gjatë që e kemi kërkuar ato për shkak të skandaleve të vazhdueshme të qeverisë, pastaj edhe për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që dëshmoi që ka pasur shkelje të vazhdueshme në raport me negociatat me Serbinë, por edhe për shkak të deformimit të përfaqësimit të qytetarëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës kur disa deputetë të Vetëvendosjes u larguan”, ka deklaruar Haxhiu për Reporteri.net.
Ajo ka thënë se assesi nuk guxohet të bëhen pazare për krijimin e një qeverie teknike.
“Nuk pranojmë të jemi pjesë e asnjë tavoline të bisedimeve për ndonjë Qeveri të mundshme teknike, apo për ndonjë koalicion të radhës pasi që sipas Kushtetutës, Presidenti ka për detyrë që të caktojë mandatarin e ri”, ka pohuar ajo.
E pyetur për një koalicion të mundshëm parazgjedhor me LDK-në deputetja Haxhiu ka thënë se janë duke u takuar me partinë e Isa Mustafës dhe duke biseduar por nuk ka asgjë konkrete ende.
“Jemi vetëm në takime dhe komunikime, por kjo besoj do të dihet pasi ta marrim datën për mbajtjen e zgjedhjeve. Për këtë (koalicionin parazgjedhor) vendosin organet e partisë, Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm. Pra jemi duke bashkëpunuar me LDK-në, nuk e di se si do të vijoj ky diskutim që e kemi”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka shtuar se në Kosovë ka nevojë për ndryshime rrënjësore, dhe i vetmi subjekt që mund t’i bëjë këto ndryshime është Vetëvendosje.
“Jemi dëshmitarë te qeverisjeve të kaluara qoftë aktuales në dorëheqje apo të atyre të kaluara. Dhe është vërejtur se nuk ka pasur ndonjë ndryshim në mendimin qeverisës, figurat janë ndryshuar, por qeverisja ka qenë e njëjtë. Andaj vendi ka nevojë për qeverisjen e Vetëvendosjes dhe besoj fuqishëm se nëse drejtimin e qeverisë e merr kryetari i VV-së, njëherë deputeti Albin Kurti, do të ndodhin ndryshimet rrënjësore qoftë në aspektin e mirëqenies, drejtësisë e barazisë”, ka pohuar ajo.
Haxhiu ka deklaruar më tej se janë duke punuar në teren që të ndodh kjo.
“Jemi duke punuar në teren. Shpresa në Kosovë mund të kthehet veç nëse Vetëvendosje vije në pushtet. Qeveria e ardhshme duhet të jetë mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Jemi të bindur që kemi vija të kuqe me PDK-në”, ka pohuar ajo.
E pyetur për një bashkëpunim të mundshëm me ish shokët e idealit, pra Partinë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit, Haxhiu ka pohuar se nuk kanë komunikim me të.
“Nuk kemi komunikim me PSD-në, por nuk hynë në diskutimet tona”, ka deklaruar Haxhiu.
Kujtojmë se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të partive që të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, presidenti Hashim Thaçi po vazhdon të hesht.
Ndryshe, media të caktuara kanë raportuar së fundmi se 8 shtatori mund të jetë datë e mbajtjes së zgjedhjeve. /Reporteri.net/.