×
  • Lajme
  • Lajme

    VV mbledh nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Prishtinë

    Reporteri
    11 Mars 2024 | 11:41

    Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi të bërë në faqen zyrtare në Facebook, kanë kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme për emërimin e kryesuesit të Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftim bëhet e ditur se kanë kaluar dy javë tashmë nga shkarkimi i Kryetarit të Kuvendit Komunal, dhe se nuk është mbajtur asnjë mbledhje e rregullt.

    “Kjo bllokadë totale, ku po mungon llogaridhënia dhe transparenca, padyshim i konvenon vetëm pushtetarëve komunal, atyre që vet e sollën këtë gjendje. S’ka se si të jetë ndryshe kur kemi parasysh faktin se janë ata që nuk thërrisnin mbledhje në kohën kur kuvendi kishte kryesues dhe gjithashtu tash e dy javë nuk morën veprime për funksionalizimin e kuvendit, për të propozuar kryesues të ri”, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Njoftimi:

    MBLEDHJE E JASHTËZAKONSHME PËR EMËRIMIN E KRYESUESIT TË KUVENDIT

    Tashmë kanë kaluar dy javë nga shkarkimi i Kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe akoma nuk kemi parë ndonjë rezultat konkret në drejtim të emërimit të kryesuesit të ri nga partia që ka pushtetin në Prishtinë, LDK, dhe Kryetari Përparim Rama.

    Kuvendi vazhdon të mbetet jo funksional dhe po bëhen tre muaj që nuk është mbajtur asnjë mbledhje e rregullt. Shumë çështje esenciale për qytetin, rregullore e projekte, pika diskutimi e vendime, kërkesa e ankesa, kanë mbetur pezull dhe të pa trajtuara nga ata që janë të zgjedhur dhe kompetentë për këtë punë, këshilltarët komunal.

    Kjo bllokadë totale, ku po mungon llogaridhënia dhe transparenca, padyshim i konvenon vetëm pushtetarëve komunal, atyre që vet e sollën këtë gjendje. S’ka se si të jetë ndryshe kur kemi parasysh faktin se janë ata që nuk thërrisnin mbledhje në kohën kur kuvendi kishte kryesues dhe gjithashtu tash e dy javë nuk morën veprime për funksionalizimin e kuvendit, për të propozuar kryesues të ri.

    Në një situatë të tillë, duke qenë grupi më i madhë në kuvendin komunal, dhe duke e ditur përgjegjësinë e përfaqësimit të qytetarëve të Prishtinës si dhe nevojën për lëvizjen e proceseve përpara, grupi ynë i këshilltarëve komunal ka deponuar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me pikën e vetme të rendit të ditës: Zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit.

    Me qëllim të zhbllokimit të gjendjes së krijuar dhe të kthimit të normalitetit e funksionalitetit në kuvend, Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prishtinë njofton opinionin publik se nuk do të propozojmë ndonjë asambleist të grupit tonë për kryesues të kuvendit komunal, përkundër faktit që jemi partia e parë në Kryeqytet,

    Me këtë rast i bëjmë thirrje të gjithë këshilltarëve komunal, nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në kuvend, të vijnë në mbledhjen e thirrur dhe bashkërisht të japim kontributin tonë që Kuvendi Komunal i Prishtinës nga një kuvend i mbledhjeve solemne dhe të jashtëzakonshme të kthehet në kuvend të rregullt e produktiv, ashtu siç do duhej të jetë dhe ashtu siç e kërkojnë qytetarët.

    Kuvendi i Komunës së Prishtinës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur më 27 shkurt, të thirrur nga VV-ja, shkarkoi kryesuesin e kuvendit komunal, Pëllumb Bajqinovcin.

    Nga 33 anëtarë të Kuvendit që morën pjesë në këtë votim, me 33 vota pro është shkarkuar kryesuesi Pëllumb Bajqinovci./Reporteri.net/

    Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!