Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar me mburrje për lajmin që qytetarët e Kosovës e pritën tash e 12 vjet, se nga janari i vitit 2024, kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e zonës Schengen.
Në reagimin e VV-së thuhet se ata vetëm dy herë në planprogramin e tyre e kanë përmendur liberalizimin e vizave, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Vetëm dy herë e kemi përmendur liberalizimin e vizave në programin tonë sepse kemi shpjeguar se ka situatë kundërthënëse të cilës duhet adresuar dhe këtë e kemi bërë”, thuhet në reagim.
Megjithatë, nga partia në pushtet thonë se kanë bërë ndryshime rrënjësore gjatë qeverisjes së tyre këto dy vite.
“Gjatë këtyre dy viteve në qeverisje të gjitha raportet e jashtme flasin ndryshe për Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e VV-së, të cilët kanë bashkangjitur edhe një grafikon ku figurojnë rezultatet e Qeverisë Kurti.
Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, miratim ky që u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha Kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.
Siç ishte njoftuar nga PE-ja, pas miratimit të liberalizimit në seancë plenare të martën, të nesërmen akti formalisht bëhet ligj, e që nënshkruhet nga presidentja PE-së dhe përfaqësuesi i Suedisë që mban presidencën e BE-së deri më 30 qershor.
Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS.
Me votimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga PE-ja kjo çështje është përmbyllur dhe të mërkurën e 19 prillit do të jetë ceremonia për nënshkrimin e Aktit ligjor. /Reporteri.net/.