×
  • Lajme
  • -->
    Lajme / Reagimi

    VV me fushatë linçuese kundër Klan Kosovës, reagon AGK: Të ndalohet kjo praktikë e të lufuarit të mediave

    Reporteri
    21 Prill 2025 | 12:49

    Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama ka sulmuar televizionin Klan Kosova, duke bërë thirrje që të bojkotohet pasi siç e cilëson kjo parti “produkt të Serbisë”.

    Sipas Ramës duhet bojkotuar “këta pazarxhinj të ultë që mohojnë shtetin”.

    “Paraja nuk mund ta ndryshojë historinë. Oligarkia nuk mund të na e fshijë kujtesën. Nuk ndërrohet kombësia që të shtohet pasuria. Nuk përfaqësohet Republika jonë nga pozita e armikut tonë.
    Prandaj, si sekretar organizativ, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes, të gjithë votuesve e mbështetësve të VETËVENDOSJE!-s, që t’i bojkotojnë produktet e atyre që Kosovën e shohin si pjesë të Serbisë”.

    “Pronarët e kompanisë Devolli e të mediumit Klan Kosova, janë të vetëdijshëm për gjenocidin mbi popullin shqiptar, por Pejën dhe Gjakovën e Republikës së Kosovës ata i quajnë Pec e Djakovica të Serbisë kurse veten e tyre shtetas serb! Nuk harrohet dhe as s’falet kurrë gjenocidi që na e ka bërë Serbia. Për Pejën e për Gjakovën, për Kosovën anekënd sovrane e të pavarur, është derdhur gjak dëshmorësh e martirësh të panumërt, në periudha të ndryshme historike. Duhet ta nderojmë sakrificën e lartë të popullit tonë. Duhet t’i bojkotojmë këta pazarxhinj të ultë që mohojnë shtetin tonë”, shkruan Rama në Facebook.

    Për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke dënuar ashpër gjuhën e sekretarit organizativ të VV-së.

    Në reagim thuhet se targetimi i televizionit, rrjedhimisht gazetarëve vë në rrezik sigurinë e tyre, ndërsa i bën thirrje VV-së që të ndalojë këtë praktikë të të lufuarit të mediave.
    “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është thellësisht i shqetësuar me fushatën sistematike të partisë së parë në Kuvend, Vetëvendosje kundër televizionit privat nacional, Klan Kosova.
    Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Alim Rama në një postim, këtë të hënë, ka bërë thirrje tek anëtarët e VV-së për bojkotimin e këtij televizioni. Një veprim i tillë linçues është i papranueshëm.

    Targetimi publik i televizionit, dhe rrjedhimisht gazetarëve, kameramanëve dhe punonjësve të tjerë vë në rrezik sigurinë e tyre fizike. Një fushatë e tillë sistematike me deklarata të papërgjegjshme nga kryeministri në detyrë Kurti dhe të tjerë eksponentë të VV-së, ka bërë që të ketë disa sulme kundër gazetarëve të Klan Kosovës, në ditën e zgjedhjeve.
    AGK-ja i bën thirrje Vetëvendosjes që të ndalojë praktikën e të luftuarit të medieve, në përpjekjen e saj për të minuar lirinë e medieve dhe shprehjes”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    Kryeministri Kurti një javë më parë, kishte thënëse Republika e Kosovës ka suksese në ekonomi, rend e ligj dhe demokraci, siç tha ai, pavarësisht “zhurmës opozitare dhe disa mediave të ish-regjimit dhe oligarkëve”.

    “I siguroj qytetarët se përtej zhurmës opozitare dhe disa mediave të ish-regjimit dhe oligarkëve, që madje kanë shkuar aq lart, saqë i kanë regjistruar bizneset në Serbi, Republika e Kosovës, atdheu ynë, po ecën përpara në ekonomi, në demokraci, në rend dhe ligj, në siguri e paqe për të gjithë”, kishte deklaruar Kurti.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!