Pas tërheqjes së Ambasadës Amerikane nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka reaguar ashpër për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Kryeprokurorëve ku thuhet se procesi i përzgjedhjes është prishur me themel meqenëse u mungon transparenca dhe ka konflikte interesi.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ish-ministrja e Drejtësisë nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se reagimi i Ambasadës do të duheh të ishte shqetësim për bartësit e sistemit të drejtësisë dhe thirrje për reflektim dhe ndalim të grupeve e individëve brenda sistemit prokurorial që nuk ia duan të mirën sistemit por punojnë ditë e natë për agjendat e tyre të mbrapshta.
Sipas Haxhiut, vettingu në sistemin e drejtësisë është mekanizëm i domosdoshëm por që punën e mirë e ndalën keqbërësit dhe ata që vodhën vullnetin qytetar.
Ky është reagimi i Haxhiut:
“Ne besojmë se këto procese janë rrënjësisht të prishura”…”vazhdimi i pjesëmarrjes në këtë proces do të mund të keqinterpretohej si përkrahje e këtij sistemi të prishur, ne nuk do të marrim më pjesë në të”, thuhet në komunikatën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me zgjedhjen e anëtarëve në KPK dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve.
Kjo komunikatë do të duhej të ishte shqetësim për bartësit e sistemit të drejtësisë dhe thirrje për reflektim dhe ndalim të grupeve e individëve brenda sistemit prokurorial që nuk ia duan të mirën sistemit por punojnë ditë e natë për agjendat e tyre të mbrapshta.
Sot, ende pa u zgjedhur, dihen emrat e kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit!
Kjo nuk ka të bëj me meritokraci por fatkeqësisht tregon e dëshmon fuqinë e atyre që as s’do të duhej të ishin pjesë e sistemit të drejtësisë dhe që për vite radhazi i kanë shërbyer kriminelëve e oligarkëve.
Gjatë kohës sa ishim në Qeveri, synimet i kishim të qarta. Shteti i së drejtës ishte prioritet i Qeverisë tonë.
Vetingu në sistemin e drejtësisë është mekanizëm i domosdoshëm por që punën e mirë e ndalën keqbërësit dhe ata që vodhën vullnetin qytetar.
Sot, në seancën e raportimit për 100 ditëshin e Qeverisë, gjatë gjithë kohës Hoti dhe tjerët flisnin kinse për sukseset e tyre. Por ja që çështjen kryesore që të gjitha raportet e partnerëve tanë ndërkombëtarë e vënë theksin, e që është përcaktuese për zhvillimin e shoqërisë sonë, sistemi i drejtësisë dhe sundimi i ligjit, e lënë rrënjësisht të prishur.
https://www.facebook.com/100001824020047/posts/4413824498688307/?extid=0&d=n