Sot në Kuvendin e Kosovës u mbajt seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar për problemet e furnizimit me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Edhe në këtë seancë, ashtu si në atë të së premtes ku u diskutua për bisedën e terroristit Milan Radoiçiq, deputetët e mazhorancës nuk morrën pjesë.
Ani pse s’pati kuorum për votimin e rezolutës, për katër orë, opozita lëshoi një lum kritikash për pushtetin, duke i cilësuar si keqmenaxhues të asaj se çfarë po ndodh në javët e fundit me ushqimin për ushtarët e FSK-së.
Opozita diskutoi në Kuvend një temë që sipas tyre s’do duhej të diskutohej aty pasi ishte e “turpshme” që institucioni kryesor i vendit të përballej me këtë problem dhe të ekspozohej deri në këtë pikë.
Partia Demokratike e Kosovës tha se deri tani kanë heshtur përballë shumë padrejtësive dhe se arsyeja pse nuk i kanë nxjerrë vërejtjet e tyre në publik ka qenë pikërisht se ka pasur të bëjë me Ushtrinë.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri tha se Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci më e pakëta që mund të bënte ishte të jepte dorëheqje në këtë situatë dhe se për të është e patolerueshme që ai sot s’kishte ardhur në Kuvend për ta mbrojtur punën e tij.
Sipas Tahirit, Ministri Maqedonci do të jetë i pari Ministër që do të mbahet mend se e la ushtrinë e tij pa bukë.
Por, për Ministrin Maqedonci duket se situata s’ishte aq alarmante sa po bënte opozita.
Ani pse s’shkoi në seancë për të diskutuar, e po në kohën kur në Kuvend po diskutohej mungesa me ushqim pranë këtij institucioni të sigurisë, Maqedonci u shfaq “duke shijuar” ushqimin në kazermë, i shoqëruar nga zëvendësministri, Shemsi Syla.
Tahiri kritikoi edhe Kryeministrin, që sipas tij, ditën e djeshme alarmoi se ushtria serbe ishte afruar për 50 metra në kufirin me Kosovën, e ata që do duhej ta mbronin territorin e Kosovës, po për ata po dje Komandati i FSK-së, Bashkim Jashari tha se raporti që s’kanë bukë.
Se Kurti është “spiun i Serbis”, e tha sërish edhe sot në Kuvend, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Për të, ai kryeministër që e lë ushtrinë pa bukë, është tradhtar.
“Angazhimi ditor i Kurtit, i tëri është mashtrim, ai s’punon në interes të këtij vendi, ai në mënyrë sistematike, vazhdon me e dobësu vendin që e udhëheq, me i dobësu shtyllat kryesore të vendit. Kush e mbron këtij njeri, po e mbroni njeriun që mbërrijti edhe ushtrinë ta lë pa bukë”, tha mes tjerash para deputetëve të opozitës, Ramush Haradinaj.
Se është krijuar një situatë tragji-komike në Kosovë ditëve të fundit, e tha deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Për të një situatë e tillë s’ka koment tjetër, duke qenë se sipas tij, në një anë Kurti alarmonte për afrimin e ushtrisë serbe me Kosovën, dhe në anën tjetër Kryeministri bënte fushatë në Gjermani.
Mospjesëmarrja në seanca nga mazhoranca për deputetin Rashit Qalaj të PDK-së, “arsyetohet” me faktin se po mësohen që të dalin nga institucionet e Kosovës, duke qenë se siç tha ai data e zgjedhjeve po afrohet.
Sipas tij, Qeveria Kurti është munduar që të denigrojë Policinë e Kosovës, e njësoj po bën tani edhe me FSK-në.
Ekspozimi në fushën e sigurisë në parlament s’duhej bërë, por që për deputetin e pavarur, Haki Abazi, zgjidhje tjetër s’ka pasur. Ai tha se kjo situatë në FSK është si pasojë e kësaj qeverie të paaftë.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri deklaroi se tek Qeveria Kurti nuk ekziston “ndjenja e turpit”. Në mesin e shumë kritikave në Kuvend karshi pushtetit, Tahiri i AAK-së tha se është për “marre” ajo që sot po diskutojnë.
“Horra” i quajti pushtetin deputeti i AAK-së, Pal Lekaj. Ai tha se ndoshta këto momente gjatë diskutimit që po bënin në Kuvend, deputetët e mazhorancës mund të jenë edhe duke ngrënë “plazma-keksa” me qumësht.
Sipas tij, Kryeministri Kurti duhet që sa më shpejt të largohet nga pozita e tij.
Seanca e sotme ishte pikërisht nismë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila rezultoi me nënshkrimin e 43 deputetëve.
“Meqë nuk ka kuorum dhe nuk ka të tjerë të paraqitur për fjalë, unë i ndërpres punimet e kësaj seance dhe për vazhdimin e saj ju informojmë si Kryesi e Kuvendit”, tha Enver Hoxhaj, nënkryetari i Kuvendit, i cili edhe drejtoi këtë seancë të jashtëzakonshme sot.
/Reporteri.net/