×
  • Lajme
  • Lajme

    Walker: Jam këtu për të festuar me të gjithë kosovarët dhe me komunitetet tjera

    Reporteri
    12 Qershor 2024 | 14:45

    Ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, ka thënë se është duke qëndruar në Kosovë me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të vendit.

    Ai ka thënë se është në vendin tonë për të festuar me gjithë kosovarët, duke përfshirë këtu shqiptarët e serbët.

    Jam këtu për të festuar me të gjithë shqiptarët, me të gjithë kosovarët e po ashtu edhe serbët. Çfarë dite të mrekullueshme përfaqëson kjo, është fantastike”, ka thënë ai.

    Ndryshe, Kosova sot shënon 25-vjetorin e Çlirimit të vendit, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë brenda territorit të Kosovës, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

    Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

    Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

    Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe largimin e serbëve nga Kosova.

    Nga ana tjetër, tërheqja e forcave serbe çoi në shpërnguljen e rreth 164.000 serbëve nga Kosova.

    Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.

    Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, trupat e të cilëve janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

    Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!