Qeveria e re e Gjermanisë, e udhëhequr nga Friedrich Merz, duhet të marrë një rol udhëheqës në politikën e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Ballkanit Perëndimor dhe të kontribuojë në zhvillimin e një qasjeje strategjike ndaj rajonit.
Kështu vlerëson Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Lideri i demokristianëve gjermanë, Merz, bëri betimin në Bundestag më 6 maj, dhe u bë kancelari i dhjetë në historinë e Gjermanisë, pasi siguroi shumicën e nevojshme vetëm në rundin e dytë të votimit.
Sa i përket qasjes së Gjermanisë ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, Weber vlerëson se Berlini, në vend që të rifillonte me themel këtë proces, doli me propozimin franko-gjerman, çka çoi në “shkatërrimin e plotë të dialogut politik” dhe në dy marrëveshje që, sipas tij, nuk ekzistojnë në realitet.
Sipas Weberit, Qeveria e re e Gjermanisë duhet të ndërmarrë një “kthesë strategjike” ndaj Serbisë dhe ndaj politikës së regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq, në mënyrë që dialogu politik të mos fundoset.
“Gjermania duhet të marrë përsëri rolin udhëheqës në politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe të ndihmojë në krijimin e një politike strategjike për rajonin – diçka që BE-së i ka munguar për më shumë se dy dekada – përfshirë edhe nevojën urgjente për një kthesë ndaj Serbisë dhe një qasje më politike ndaj krizës në Bosnje”.
Weber thotë për REL-in se mbetet për t’u parë nëse Gjermania ka apo po ndërton një strategji të përshtatshme të politikës së jashtme, por se me siguri do të shprehë shqetësime për “aktorët e tretë me ndikim të dëmshëm në Ballkan”.
Por, çfarë roli mund të luajë Gjermania në dialogun Kosovë-Serbi, veçanërisht nën udhëheqjen e kancelarit Merz?
“Qeveria e re konservatore përballet me trashëgiminë e dialogut politik që nisi kancelarja Merkel, me përkrahjen e deputetëve konservatorë.
Nën Scholzin, në vend të një rivendosjeje të thellë të dialogut, pas episodit të rrezikshëm të shkëmbimit të territoreve, Qeveria gjermane ndërmori iniciativën franko-gjermane me një vullnet të pamjaftueshëm politik, dhe duke vazhduar politikën e dështuar të pajtimit ndaj regjimit të Vuçiqit. Rezultati ishte shembja e dialogut, dhe dy marrëveshje që, në fakt, nuk ekzistojnë.
Pyetja është nëse Qeveria e re gjermane do të këmbëngulë në këto marrëveshje të papërmbushura, apo do të ketë guximin të nxisë një rinisje të thellë të dialogut – për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Kjo do të kërkonte një kthesë strategjike të politikës së BE-së ndaj Serbisë, duke mos e trajtuar regjimin e Vuçiqit si partner vlerash. Por, kjo do të nënkuptonte edhe ndërprerjen e marrëdhënies së CDU-së me “partinë motër” SNS [Partia Progresive Serbe]. Mbetet për t’u parë nëse CDU-ja dhe Merz kanë forcën për këtë. Në të kundërt, dialogu do të thellohet edhe më shumë në krizë, dhe BE-ja do të humbasë më shumë kredibilitet si aktor demokratik, në Kosovë dhe në Serbi”, tha ai.
Weber ka folur edhe lidhur me kushtëzimin për anëtarësimin e Kosovës në KiE me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ndryshe nga Parisi, Gjermania ka qenë më e butë në kushtëzimin për aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës. Nëse Berlini do të vazhdojë me këtë politikë për Asociacionin – në mungesë të një kuadri strategjik – mbetet për t’u parë, dhe do të varet nga ajo nëse do të ketë kthesë strategjike në politikën ndaj dialogut”, tha ai.