Profesori i Fakultetit të Studimeve Islame, Xhabir Hamiti ka folur rreth debatit të hapur ditëve të fundit nëse lejohet leximi i librit të shenjtë Islam në gjuhën shqipe.
Ai ka thënë se leximi i lirë në gjuhën shqipe është i lejueshëm dhe i preferueshëm për atë që s’e di gjuhën arabe.
“Duhet të lexohet në gjuhën e shpallur për shkak të kuptimit. Përndryshe leximi i lirë i Kur’anit mund të bëhet në gjuhën shqipe. Tek ne është përkthyer shumë vonë dhe ka qenë mendim se nëse përkthehet – për shkak të frikës për devijime – bota islame ka pasë frikë se nëse përkthehet Kur’ani e humb kuptimin”, ka deklaruar Hamiti, në Klan Kosova, shkruan Reporteri.net.
Ai ka treguar se Kur’ani është i përkthyer në gjuhën shqipe, jo një herë, por disa herë.
“Përkthime në gjuhën shqipe janë disa – shtatë, normalisht se ato nuk janë të njëjta varësisht nga përkthyesi. Një prej kushteve kryesore për ta përkthyer Kur’anin është se duhet të jesh njohës i mirë i Kur’anit, gjuhës arabe dhe gjuhës në të cilën e përkthen. Ka literaturë dhe kopje të Kur’anit në gjuhën shqipe dhe nuk ka arsye të thuhet se nuk mund ta lexojmë në gjuhën shqipe”, ka deklaruar Hamiti.
Ai ka pohuar se ekzistojnë shumë të dhëna në Kur’an se ekziston diversiteti i gjuhëve.
“Gjuha e shpallur e Kuranit është gjuha arabe dhe këtë nuk mund ta vë askush në dyshim”, ka thënë Hamiti.
Kujtojmë se ky debat “shpërtheu” pasi hoxha nga Peja, Drilon Gashi se besimtarëve islamë iu lejohet falja edhe në gjuhën shqipe.
Hoxha nga Peja e thotë sërish: Lejohet të falemi shqip, arabishtja s’është gjuhë e islamit