×
  • Lajme
  • Lajme / 'Prioritet e ka LDK-në e NISMA-n'

    Xhavit Haliti: Albin Kurti nuk është i interesuar të bëj koalicion me PDK-në

    Reporteri
    12 Prill 2025 | 9:55

    Edhe tre ditë na ndajnë nga dita kur pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, me 15 prill.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, disa ditë më parë i ka dërguar një letër për takim për konsultime paraprake për formimin e Qeverisë kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

    Kryetari i LDK-së i tha jo kategorikisht një takimi të tillë.Por nëse një ftesë e tillë i dërgohet edhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK-së), si duhet të veprojnë tutje?

    Në lidhje me këtë çështje ka folur zyrtari i lartë i PDK-së njëherësh ish-deputeti i këtij subjekti politik, Xhavit Haliti.Haliti tha se është vështirë të dilet në një përfundim se si duhet vepruar por thekson se paraprakisht duhet të analizohen interesat e Kosovës e pastaj ato të PDK-së.

    Çështje të tjera sipas Halitit janë edhe zotimi i PDK-së se ‘nuk bëjnë marrëveshje me asnjë parti pa e pas të garantuar postin e Kryeministrit’ dhe programi zbatues në një marrëveshje eventuale që mund të bëhet.

    “Është e vështirë me u deklaru dhe me ia qëllua se çfarë duhet bërë, të mbajë qëndrimin e deklaruar gjatë fushatës apo ta ulë pjacen. Paraprakisht duhet analizuar interesat e Kosovës e pastaj ato të PDK-së. Por është një situatë me shumë të panjohura, publikisht kemi qëndrimin e PDK-së, por s’kemi asnjë deklarim të Kurtit, i cili pas përfundimit të zgjedhjeve na quajti “Hajvanë” (kafshë), deklaratë e cila iritoj gjithë opoziten”, ka deklaruar ai.

    “Çështja e dytë është zotimi i PDK, se ‘PDK, nuk bënë marrëveshje me asnjë parti pa e pas të garantuar postin e Kryeministrit’ çështja e tretë është se në një marrëveshtje eventuale a do të miratohet program zbatues i obligueshëm për të dyja palët, siç janë lufta kundër krimit të organizuar e kundër korrupsionit, zbatimi i marrëveshjev me BE-në lidhur me dialogun, politika e jashtme, politika e brendshme, politikat fiskale , zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, sigurimet shëndetësore, energjitika, liberalizimi i investimeve, paga minimale etj. Apo do bisedohet vetëm për ndarjet e ministrive” deklaroi Haliti për “Gazeta Blic”.

    Por sipas Halitit, kryetari i VV-së Albin Kurti, më së paku është i interesuar për një koalicion me PDK-në.

    Ai thotë se interesi prioritar i tij është LDK, dhe pastaj NISMA.

    “Mendoj që Albini më së pakti është i interesuar të bëj koalicion me PDK-në. Interesi prioritar i tij është LDK, dhe pastaj NISMA.  Prandaj po hesht, sepse në pyetje është edhe zgjedhja e Presidentit dhe pa marrëveshje me njërën nga partitë e mëdha vendi mund të shkoj në zgjedhje, nëse jo gjatë proçesit të formimit të qeverisë atëherë momenti kur zgjedhet Presidenti, mund të jetë kritik, nëse partitë e mëdha opozitare sdo marrin pjesë në seancen kur bëhet votimi”, thotë Haliti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!