Ish-luftëtari i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tash kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së ka komentuar me lot në sy postimin e ministrit Hekuran Murati i cili ka dalë në pah 6 vjet pas publikimit, në të cilin Murati barazoi ushtarët e UÇK-së me mercenarët.
Qeriqi tregon se ai qenë në luftë bashkë me vëllaun e tij, i cili ka ikur nga Gjermania për të luftuar për Kosovën, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Tutje, ai e ka quajtur “marria më e madhe e zotit” postimin e Hekuran Muratit teksa shton se është prekur shumë nga ky postim pasi ende vuan nga dhimbjet e plagëve të luftës dhe humbjes së të dashurve të tij në luftë.
“Zoti Murati ka flejtë dy ditë e dy netë në shtrat, unë kam qëndru në Bjeshkë të Pashtrikut. Mos të harrojmë se aty na kanë vdekë njerëzit prej acarit, me vullnetin për ta çliru këtë vend. Shumë njerëz kanë ardhë prej perëndimit, e kanë lënë jetën luksoze, për të dhënë një kontribut dhe një sakrificë për këtë vend. E kanë ditë se ku po shkojnë.
Kjo është marria më e madhe e zotit, ky që e bën këtë postim. Kur më ftove nuk deshta me ardhë se nuk mujsha me komentu. Sinqerisht, unë personalisht jam prekë shumë se kam qenë me vëllaun në luftë, ai e ka lënë jetën e tij luksoze në Gjermani. Unë çdo natë vuaj nga plagët, nga dhimbjet e plagëve, vuaj për shokët që i kam humbur në beteja”, tha ai në Kanal 10. /Reporteri.net/.