×
  • Lajme
  • Lajme

    Xhevdet Smakiqi ish-kandidat për deputet nga Nisma u zgjodh kundërligjshëm kryeshef i Postës

    Reporteri
    25 Mars 2021 | 23:31

    Xhevdet Smakiqi, është zgjedhur kryeshef i Postës së Kosovës. Por, kjo po del të jetë bërë kundërligjshëm.


    Xhevdet Smakiqi mori besimin e një bordi i cili u emërua nga Qeveria Hoti, por në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike Smakiqi u vë në këtë pozitë pasi i njëjti ishte kandidat për deputet për Nismën Socialdemokrate, shkruan Reporteri.net.

    Sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike thuhet se të gjithë drejtorët përveç KE duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse: k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.

    Xhevdet Smakiqi është zgjedhur kyeshef ekzekutiv i Postës së Kosovës, më 5 mars nga Bordi i Përkohshëm i kësaj kompanie.

    Atë ditë u tha se Bordi ka udhëhequr një proces transparent e të drejt teksa e kanë vlerësuar si kandidatin më të përshtatshëm profesionalisht.

    “Gjatë intervistës së kandidatëve, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve kishte ftuar për monitorim organizatën BIRN, për të qenë më transparent në tërë këtë proces, ndërsa ka në dispozicion për secilin organizatë apo media të interesuar çdo dokument për secilin kandidat, deri në vendimin e përzgjedhjes. Bordi i Përkohshëm i Drejtoreve, është i vetëdijshëm për gjendjen e ndërmarrjes publike, Posta e Kosovës, andaj përzgjedhja e Kryeshefit Ekzkeutiv, ka qenë nevojë imediate dhe e domosdoshme për të ushtruar një lidership dhe menaxhment të besueshëm dhe që përballon sfidat e kësaj periudhe”, thuhej në një komunikatë për media të Bordit të Postës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!