Një person është plagosur me armë zjarri nga një zyrtar policor sonte në Graçanicë, shkruan Gazeta Reporteri.net.
Rastin e ka konfirmuar për Reporteri.net, Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë, për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka treguar në detaje se si ka ndodhur rasti.
“Rreth orës 16:00 , në afërsi të rrethit të Çagllavicës, për lëvizje të dyshimta policia ka ndaluar një automjet të tipit Golf -VI- në të cilën kanë qenë dy persona. Pas ndaljes së veturës janë konstatuar parregullsi kundërvajtëse të tilla si veturë pa regjistrim, ndërsa pas kontrollit është gjetur edhe një shufër metalike. Ndërkohë që policia ka kryer verifikimet e nevojshme pasagjeri ka rezultuar të jetë i kërkuar me urdhër arrest për sulm ndaj personit zyrtar. Menjëherë të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor dhe përderisa vozitësit i janë shqiptuar masat administrative për kundërvajtjet dhe është liruar, i dyshuarit të kërkuar me urdhër arrest është ndaluar në stacion. I dyshuari; • A. U, 21 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, duke përfituar nga momenti, është arratisur nga stacioni policor, me ç’ rast është pritur jashtë stacionit nga vetura e njëjtë dhe së bashku me dy persona të tjerë; • F.G, 22 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe
• Q.G, 28 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, që po e prisnin në veturë kanë ikur me vrull duke shkaktuar rrezik për sigurinë përreth”, tha Borovci për Reporteri.net
Ai ka treguar se për të ndaluar ikjen dhe shmangur arratisjen zyrtari policor ka përdorur armën, dhe me këtë rast, një nga të dyshuarit ka marrë plagë.
“Në ikje e sipër të dyshuarit kanë shkaktuar një aksident trafiku, dhe për më shumë dy nga ta pas aksidentit janë arratisur ndërsa të dyshuarit F.G, pasi i është dhënë ndihma e parë është transferuar në QKUK për trajtimin e mëtejmë mjekësor. Prokurori i shtetit bashkërisht me Inspektoratin Policor, janë duke trajtuar rrethanat specifike të ndërlidhura me rastin”, shoti ai.
Edhe Inspektorati Policor i Kosovës e ka konfirmuar se zyrtari policor ka shtënë me armë zjarri në drejtim të shoferit të makinës i cili po e ndihmonte të ikte një person të dyshuar nga Stacioni Policor në Graçanicë.
“Bazuar në informacionet nga hetimet paraprake deri më tani dyshohet se zyrtari policor ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një të dyshuari i cili ka qenë i ndaluar në Stacionin Policor të Graçanicës e që i njëjti ka ikur me ndihmën e një të dyshuari tjetër i cili ka qenë duke pritur me një automjet aty afër. Gjatë përdorimit të armës së zjarrit është qëlluar shoferi i makinës cili më vonë ka shkaktuar aksident gjatë ikjes”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Njoftimi i plotë i IPK-së.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë pranuar informacione sot pas orës 17:00 përmes Linjës së Kaltër (080003333) nga Policia e Kosovës për një zyrtar policor që ka përdorur armën e zjarrit.
Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin kanë dalë në vendngjarje ku kanë ndërmarrë një mori veprimesh hetimore me njësit relevante për rastin në fjalë. Në bazë të mandatit ligjor të IPK-së rasti do të trajtohet nga IPK në koordinim edhe me prokurorin kujdestar i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet nga hetimet paraprake deri më tani dyshohet se zyrtari policor ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një të dyshuari i cili ka qenë i ndaluar në Stacionin Policor të Graçanicës e që i njëjti ka ikur me ndihmën e një të dyshuari tjetër i cili ka qenë duke pritur me një automjet aty afër.
Gjatë përdorimit të armës së zjarrit është qëlluar shoferi i makinës cili më vonë ka shkaktuar aksident gjatë ikjes. Personi i qëlluar me armë zjarri është dërguar nga policia për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë. Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitë tjera relevante dhe institucionet përkatëse janë duke punuar drejt ndriçimit të rrethanave të këtij rasti dhe rreth asaj se a janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare.
Zyrtari policor (i stacionit policor të Graçanicës) është dërguar në objektin e IPK-së për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit me dyshimin për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.