×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Zbatimi i marrëveshjeve, pak pritshmëri nga takimi në Bruksel

    Reporteri
    02 Korrik 2024 | 10:07
    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (në të djathtë), me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe në mes ndërmjetësuesi i BE-së,Mirosllav Lajçak. Foto: Reporteri

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen sot në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Bashkimi Evropian tha se prioritet në takim do të jetë “nisja urgjente e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“. Por pritshmëritë për këtë takim janë të vogla.

    Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak  është shprehur se nuk ka pasur progres në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

    “Javën e kaluar, Borrell dhe unë mirëpritëm presidentin Vuçiq dhe kryeministri Kurti në Bruksel për një tjetër takim të dialogut Beograd-Prishtinë”. Fatkeqësisht nuk pamë asnjë progres në implementimin e Marrëveshjes së Normalizimit. Diskutimet ishin më sfiduese se kurrë. Sidoqoftë, puna jonë do të vazhdojë nesër kur unë do të mbledhë kryenegociatorët për të punuar në hapat konkret në zhbllokimin e implementimit të marrëveshjes”, shkroi Lajçak.

    Vet, Lajçak i ka cilësuar si shumë sfiduese bisedimet e javës së kaluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte konfirmuar se në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

    Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

    “E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.

    Shefi në largim i diplomacisë evropiane, Josep Borell, i ka dërguar porosi kryeministrit Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, se obligimet e dialogut nuk do të ndryshojnë, edhe kur ai të largohet nga posti dhe do të vijnë njerëz të tjerë për ta udhëhequr BE-në.

    Ai thotë se lehtësimi i BE-së nuk mund të arrijë më shumë normalizim sesa dëshiron Kosova dhe Serbia.

    “Pas disa muajsh, njerëz të tjerë do të jenë në krye të kësaj teme në Bruksel, por pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve Anëtare të tij nuk do të ndryshojnë. Angazhimet dhe obligimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të largohen”.

    “Të gjithë do të shikojnë ende gatishmërinë e presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës për të ofruar një të ardhme më të mirë evropiane për popullin e tyre. Në fund, duhet guxim, vizion dhe vullnet politik. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në çdo hap gjatë rrugës”, thotë Borrell.

    Borrell vlerësoi se gjatë mandatit të tij është bërë shumë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se përparimi në dialog kërkon guxim, vizion dhe vullnet politik të liderëve të të dyja palëve.

    Ai në një tekst autorial të publikuar në faqen zyrtare te Unionit Europian EEAS, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në qendër të angazhimit të BE-së.

    “Është e domosdoshme të zhbllokohet një e ardhme evropiane për të dy, dhe të forcohet siguria dhe stabiliteti në rajon”, thotë Borrell në një tekst autorial të publikuar në faqen zyrtare te Unionit Europian EEAS.

    Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kurti këtë deklaratë e bëri teksa foli për takimin e së mërkurës në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, ku shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

    Kurti tha se këto kërkesa të garancisë, në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike, të cilën tha se Serbia vazhdimisht po e sulmon. /Reporteri.net/

    Kurti: S’ka mirëbesim në dialog pa dorëzimin e Radoiçiqit dhe grupit terrorist që kyen sulmin në Banjskë

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!