×
  • Lajme
  • Lajme

    Zbulohet arsyeja që çoi në rrahjen e policit e shkrepjen e armës

    Reporteri
    03 Nëntor 2020 | 18:16

    Prokurori i rastit të përleshjes në Fushë Kosovë në mes qytetarëve dhe Policisë, ka bërë të ditur se e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të një gjobe ndaj një pronari të një qebaptoreje.


    Në një prononcim për media, prokurori i rastit Armend Hamiti ka thënë se Policia në kuadër të autorizimeve të veta ka shkrepur me armë zjarri, për toke.

    Prokurori i rastit shtoi se deri tani nuk ka asnjë të arrestuar dhe gjashtë persona janë duke u intervistuar në Stacionin Policor.

    “Rreth orës 16:00 e kom marr informatën për rastin një Fushë Kosovë. Ende nuk ka vendim për arrestim të ndonjë personi, gjashtë persona janë duke u intervistuar në Stacionin Policor. Janë sulmuar dy zyrtarët policorë. Një person mund të jetë një kalimtar i rastit i përfshirë në rast”, tha ai.

    Policia ka konfirmuar se si pasojë e kësaj përleshje pesë të lënduar, dy prej tyre janë zyrtarë policorë.

    Rastin për Gazetën Online “Reporteri.net” e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se për këtë rast, deri më tani policia ka arrestuar dy të dyshuar.

    “Sot rreth orës 14:00, policia ka marrë informacionin për një sulm ndaj personave zyrtar në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare një person ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit ndërsa nga përleshja fizike lëndime trupore kanë pësuar 5 persona prej tyre dy zyrtarë policor. Të gjithë janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka deklaruar Ahmeti.

    “Hetuesit kanë shoqëruar në stacion policor dy persona të dyshuar si dhe në koordinim me Inspektoriatin Policor të Kosovës, kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, ka njoftuar ajo.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!