Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi te madhe armatimi në fshatin Vallaq të Komunës së Zveçanit, shkruan Reporteri.net.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani, ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net se operacioni u realizua pas pranimit të një informacioni se në një lokacion të caktuar mund të gjendeshin armë të fshehura.
“Pas pranimit të informacionit se në një lokacion të caktuar ka mundësi që të ketë armë, Policia e Kosovës ka reaguar dhe gjatë bastisjes në fshatin Vallaq, Komuna Zveçan, në një shtallë të kuajve kemi hasur në një sasi të madhe armatimi”, tha Elshani.
Sipas tij, armët, municioni, granatat e dorës dhe armët e tipit Zolla janë gjetur të fshehura nën tokë, brenda dy gypave plastikë.
Gjatë bastisjes, përveç njësive të specializuara të Policisë së Kosovës, të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të US-KFOR-it dhe përfaqësues nga EULEX-i, ndërsa në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i rastit.
Elshani ka bërë të ditur se janë zhvilluar edhe dy bastisje të tjera, një në Mitrovicë të Veriut dhe një tjetër në Zveçan, ku janë sekuestruar jelekë antiplumb, fishekë si dhe 14 kartela grafike, për të cilat dyshohet se janë kundërvajtje doganore.
“Në lidhje me këtë rast nuk kemi persona të arrestuar por e kemi një person me interes për intervistim. Me rastin është duke u marrë Prokuroria Themelore në Mitrovicë”, tha Elshani për Reporteri.net.