Zëdhënësi i Ministrisë thotë se mosliberalizimi është një nga arsyet pse Kosova nuk është prekur me koronavirus

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se pas vendimit të Qeverisë që të fuqizohen aktivitetet kundër koronavirusit në Kosovë, sot të gjitha institucionet që janë pjesë e aktiviteteve kanë filluar me zbatimin e tyre.


Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se janë disa mekanizma që e bëjnë vlerësimin e situatës dhe rekomandimet që duhet ndërmarrë.

Sipas Hotit, IKSHP-ja ka filluar përgatitjet për ballafaqim me këtë situatë që nga 1 janari 2020.

Ai tutje ka deklaruar se një nga arsyet e mosprekjes së Kosovës nga ky virus është edhe mosliberalizimi i vizave, çka mundëson lëvizjet më të pakta të njerëzve jashtë kufijve të shtetit.

“Kosova ka më pak lëvizje të popullatës për shkak edhe të mosliberalizimit të vizave, në anën tjetër kemi popullatë më të re se shtetet tjera. Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka përgatitur planin për sëmundjet ngjitëse. Kosova ka përfituar që nuk ka pasur raste me koronavirus, gjithashtu ka përfituar edhe nga eksperiencat e vendeve tjera se si po menaxhojnë me virusin. Kur kemi filluar të merremi me aktivitete konkrete ne kemi parë ku kemi zbrazëtira. Kemi arritur në nivel solid të koordinimit të aktiviteteve dhe kemi nivel të mirë të përgatitjeve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se deri sot në orët e pasdites janë testuar 93 mostra të dyshimta. Derisa deklaron se të gjitha kanë rezultuar negative. Ai thotë duke shtuar se në orët e pasdites janë testuar edhe mostra tjera, rezultatet e të cilave priten nesër.

Hoti ka thënë se personat të cilët kanë elemente të virusit, transportohen në klinikën e izolimit, i merren mostrat, futën në analizë dhe sipas tij, testet pas 4-5 orëve janë të gatshme.

Ai thotë se ata që vijnë për t’u testuar janë nga mosha të ndryshme, por shton se moshat e shtyra janë më të ekspozuar.

Hoti ka porositur që rastet të cilat nuk kanë elemente të këtij virusi të mos shkojnë në Klinikën Infektive.

“Procesi i edukimit është i përhershëm, në fillim kanë munguar informatat, por matjet që i bëjmë shohim se interesimi për të marrë informata është i madh”, ka thënë ai.