×
  • Lajme
  • Lajme

    Zëdhënësi i Parlamentit Evropian: Gjithçka gati për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Reporteri
    17 Prill 2023 | 17:57

    Parlamenti Evropian nesër (18 prill), pritet të votojë për heqjen e vizave për kosovarët, sipas draft agjendës së miratuar nga Konferenca e Presidentëve.

    Ky votim për heqjen e vizave do të ndodh sipas procedurës së votimit urgjent propozuar nga eurodeputeti Thijs Reuten, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Zëdhënësi i Parlamentit Evropian, Ojamo Janne, ka deklaruar se nesër në seancën plenare të PE-së do të jetë miratimi përfundimtar për liberalizimin e vizave të Kosovës.

    “Miratimi përfundimtar i Kuvendit do të shpallet nesër, e martë 18/4, në seancën plenare (duke filluar rreth orës 12:00 CEST). Votimi nuk është i nevojshëm në këtë fazë dhe ceremonia e nënshkrimit do të vijojë të mërkurën pasdite në orën 14.45”, tha ai për Blic.

    Janne shtoi se do të ketë edhe deklaratë për shtyp për më shumë detaje rreth kësaj procedure.

    “Ne do të dërgojmë gjithashtu një deklaratë për shtyp nesër, me informacionin e një konference për shtyp të mërkurën pasdite që mund ta ndiqni edhe nga distanca”, shtoi tutje.

    Këshilli i Ministrave i BE-së votoi më 9 mars pro liberalizimit të vizave për Kosovën, duke e konfirmuar se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza nga 1 janari i vitit 2024.

    Kosovarët drejt BE-së do të udhëtojnë pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.

    BE këtë e ka ndërlidhur me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.

    Me marrjen e dritës jeshile për procesin nga Parlamenti Evropian, atëherë vendimi nënshkruhet nga përfaqësuesit e tri institucioneve të BE-së: Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti.

    Më pas vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare pastaj hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit, në fillim të vitit të ardhshëm.

    Çfarë është sistemi ETIAS që do të përcjellë procesin e liberalizimit të vizave?

    ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit.

    Është sistem tërësisht elektronik, i cili lejon dhe mban gjurmët e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në zonën Shengen.

    Në njëfarë mënyre, i ngjan Sistemit Elektronik të ShBA për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), i cili shërben për një qëllim të ngjashëm.

    Procedurat ligjore për kalimin e ETIAS kanë nisur në vitin 2016 dhe sistemi pritet të jetë plotësisht funksional në maj 2023.

    ETIAS do t’i nënshtrohet një kontrolli të detajuar sigurie të secilit aplikant për të përcaktuar nëse ata mund të lejohen të hyjnë në ndonjë vend të Zonës Shengen.

    Ndërsa qytetarët e vendeve, që nuk kanë nevojë për vizë për qëllime udhëtimi deri në 90 ditë në BE, nuk kanë nevojë të kalojnë një proces të gjatë aplikimi për vizë, ETIAS do të sigurohet që këta njerëz të mos përbëjnë një kërcënim sigurie. Ky sistem i autorizimit të udhëtimit do të mbledhë, monitorojë dhe përditësojë informacionin e nevojshëm në lidhje me vizitorët për të përcaktuar nëse është e sigurt për ta të hyjnë në vendet e Shengen-it.

    ETIAS, përveç përdorimit për qëllime biznesi dhe turistike, do t’i lejojë njerëzit të vizitojnë vendet e Shengen-it për arsye mjekësore dhe tranziti. Gjithashtu, do të jetë i detyrueshëm për të gjitha vendet që janë pa viza Shengen.

    “Arsyeja kryesore për miratimin e autorizimit ETIAS është siguria. Me rritjen e rrezikut të udhëtarëve në mbarë botën, BE-ja dëshiron të sigurojë udhëtime të sigurta në vendet e saj. ETIAS do të ulë ndjeshëm shqetësimet e sigurisë nëpërmjet sistemeve të tij të mbledhjes së informacionit dhe të dhënave. Çfarë do të thotë kjo, është se ETIAS do të zbulojë nëse një person është një kërcënim në ndonjë mënyrë për sigurinë e vendeve të Shengen-it. Kjo do të bëjë që personit t’i mohohet hyrja dhe të shmanget kërcënimi për të qenë i pranishëm brenda kufijve të BE-së. Në thelb do të merret me një problem para se të jetë aty”, shkruan në njoftim.

    Sipas Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (Frontex), rreth 1,4 miliardë udhëtarë nga vendet që lëvizin lirshëm në Shengen do të preken nga ky rregull i ri.

    Procedura është e thjeshtë dhe e shpejtë dhe mund të bëhet përmes faqes së internetit.

    Formulari kërkon të dhënat e udhëtarit, si dhe informacion mbi gjendjen e tij shëndetësore, udhëtimet në vendet e luftës dhe precedentët kriminale. Aplikimi për autorizimin do të kushtojë 7 euro për person. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!