Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijnaçiq thotë se BE pret bashkëpunim të ngushtë me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Në deklaratën e saj për Tanjug, ajo theksoi rolin e SHBA në dialogun Beograd-Prishtinë, por gjithashtu theksoi se këto bisedime mbahen nën ombrellën e BE-së.
“SHBA ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në punën tonë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht kur bëhet fjalë për sukses në dialogun e ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës. BE dhe SHBA ndajnë një interes të fortë të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe të prosperuar dhe ne mezi presim që të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me SHBA dhe Matt Palmer si i dërguari special i SHBA-së”, tha Kocijançiq.
Ajo theksoi faktin që BE dhe SHBA kanë punuar kaq ngushtë në Ballkanin Perëndimor deri më tani, por gjithashtu kujtoi se shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini ishte “plotësisht dhe personalisht” e angazhuar në ndërmjetësimin e dialogut, si dhe në perspektivat e BE-së për “Serbinë, Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor”.
“Ne mirëpresim çdo angazhim për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE, qoftë ai që vjen nga vendet anëtare, bashkësia ndërkombëtare, dhe veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Kocijançiq.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.