Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka folur në Kuvend për menaxhimin e situatës me pandeminë gjatë 100 ditëve të qeverisjes.
Zemaj i është kundërpërgjigjur deputetit të VV-së, Fitim Uka i cili e akuzoi Qeverinë për dështim të menaxhimit të situatës me pandeminë.
“Është për të vajtuar se si një deputet i Kosovës i veshur me petkun e mjekut iu gëzohet vdekjeve të një pandemie që ka përfshirë globin. Kosova tregoi se ne mund t’ia dalim kur i mbarë globi përfshihet nga një pandemi”, tha Zemaj ndër të tjera.
Ai u shpreh se Ministria që ai drejton nga një izolim total riaktivizoi të gjitha klinikat, spitalet rajonale duke siguruar mbi 700 shtretër. Sipas Zemajt, nga 27 respiratorë që ishin në kohën e ish ministrit Vitia, Kosova tani ka 325 respiratorë.
“Rikthyem shërbimet shëndetësore në ambulancat specialistike, hapëm shkollat, kthyem operacionet emergjente, zgjatëm orarin e gastronomisë.
Nga një izolim total, pa një mekanizëm të qartë të ngritjes së kapaciteteve humane. Riaktivizuam të gjitha klinikat, spitalet rajonale, siguruam mbi 700 shtretër. Nga 27 respiratorë që shpëtojmë jetë sot i kemi 325 pa asnjë cent të harxhuar nga buxheti i Kosovës. Punësuam mbi 200 specialistë shëndetësorë. Njëri nga udhëheqësit e asaj propagande ishte një nga këshilltarët e ish ministrit Vitia. Qeveria nuk do të lejojë asnjë mjek të papunë në Republikën tonë. Kosova aktualisht është ndër 7 vendet me menaxhimin më të mirë në menaxhimin e pandemisë. Këto janë shifra, fakte jo veprime bolshevike”, u shpreh Zemaj.