×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Kosova i kërkon Shqipërisë të hiqet “5 euroshi” në Rrugën e Kombit

    Reporteri
    13 Korrik 2020 | 14:42

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj – Halimaj ka takuar në Tiranë zv.kryeministrin e Shqipërisë Erion Braçe.


    Në këtë takim u diskutua për përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive që pritet të mbahet në muajin shtator në Shkodër, e ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje të reja mes dy qeverive.

    Zv-kryeministrja Balaj – Halimaj kërkoi nga qeveria shqiptare që të shikoj mundësitë për pezullimin e taksës në rrugën e kombit për qytetarët e Kosovës, për së paku dy muaj, deri më 15 shtator.

    Po ashtu, ajo ka kërkuar që të eliminohen të gjitha pengesat që po pamundësojnë realizimin e marrëveshjeve të arritura më herët; siç është funksionalizimi i plotë i pikës doganore në Durrës, unifikimi i kodit doganor, njohja e dokumentacioneve reciproke për export dhe import, si dhe kërkesën e odës së farmacistëve të Kosovës për listën e çmimit të barnave.

    Nga ana e tij, zv-kryeministri Brace u zotua se kërkesën për pezullimin e taksës do ta ngrejë në mbledhjen e ardhshme të qeverisë së Shqipërisë, që pritet të mbahet këtë javë.

    Po ashtu ai shprehu angazhimin e tij dhe vullnetin në realizimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve tona.

    Zv-kryeministrja Balaj-Halimaj tha se gjithë përkushtimi i saj do të jetë në funksion të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët dhe marrëveshjeve të reja që mund të arrihen në shtator e që për qëllim do të kenë lehtësimin e jetës së qytetarëve andej e këndej kufirit.

    Temë e këtij takimi ishte edhe menaxhimi i pandemisë COVID-19 në dy vendet tona. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!