Zëvendësminsitri i Jashtëm, Anton Berisha, ka kritikuar pjesëmarrjen e përfaqësuesve diplomatik të Kosovës në iftarin e shtruar nga Donald Trump në SHBA.
Ai në një reagim ka theksuar se Kosova është shtet laik me Kushtetutë dhe pjesëmarrja në ceremoni të tilla nuk ka si të arsyetohet me Kushtetutë nga ana e diplomatëve të shtetit.
Ky reagim i tij vjen pasi mbrëmë ambasadorja e Kosovës në SHBA mori pjesë në iftarin që Presidenti amerikan Donald Trump shtroi për diplomatët e vendeve myslimane të akredituara në SHBA, shkruan Reporteri.net.
Ky është reagimi i plotë i zëvendësministrit Anton Berisha:
Dy tema të zhvilluara në ditën e sotme, njëra në SHBA dhe tjetra në Kuvendin e Kosovës, lidhen me veprimtarinë time:
1. Në cilësinë e diplomatit me gradën e ambasadorit të karrierës, e kam të qartë se pjesëmarrja në aktivitete brenda një shteti akreditues, siç ishte darka e iftarit nga presidenti Trump në SHBA, duhet të bëhet sipas instruksioneve të Ministrisë së Jashtme. Pyetja që i shtroj vetës, është: po të isha ambasador në SHBA, si do ta arsyetoja pjesëmarrjen aty bazuar në Kushtetutën e shtetit tim dhe në aspiratat për synimet e shtetit tim në integrimet evropiane, një bashkësi që fenë e ka ndarë nga shteti dhe e trajton si një çështje individuale.
2. Tema për Telekomin, ka kohë, që nuk zhvillohet prej njerëzve që e njohin këtë fushë, ngase ka kohë që ekspertët real të saj janë përjashtuar ose (vet) larguar. Pavarësisht kësaj, si inxhinier i kësaj lëmie, e them se Telekomi është pronë e Kosovës dhe nuk ka pse t’i falet ndonjë grupi. Nëse dikush mendon të thirret në rregullore, procedura e ligje, këshilla ime është: drejtohuni ekspertëve dhe garantoj se çështja nuk është aspak e ndërlikuar per t’u zgjidhur. /Reporteri.net/.