Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Kryeqytetit i nevojitet një qeveri që nuk e bllokon dhe nuk e saboton zhvillimin, por që e mbështet atë në mënyrë aktive dhe të qëndrueshme.
Gjatë një tubimi të Degës 2 të LDK-së, të mbajtur në sallën “Sami Frashëri”, Abdixhiku theksoi se Prishtina meriton institucione që punojnë për qytetarët dhe jo pengesa politike që ngadalësojnë projektet zhvillimore.
Ai u shpreh se vizioni i LDK-së është t’i japë Kryeqytetit një qeveri që e ndihmon fuqishëm, duke përmendur edhe zotimin për investime në vlerë prej 1.5 miliardë eurosh në projekte zhvillimore.
“Prishtina ka nevojë për një qeveri që e ndihmon, jo që e bllokon. Një qeveri që punon për qytetarët dhe për të ardhmen e Kryeqytetit”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, qytetarët e Prishtinës po tregojnë energji dhe vullnet për ndryshim, ndërsa LDK-ja është e përkushtuar që planifikimin ta kthejë në vepra konkrete.