Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Abelard Tahiri, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një situatë të rëndë si pasojë e pesë viteve të fundit të qeverisjes, duke theksuar se vendi ka nevojë për një ndryshim të menjëhershëm.
Në një postim të bërë pas prezantimit të programit qeverisës në kuadër të fushatës së PDK-së, Tahiri ka theksuar se plani i kësaj partie synon bashkimin e qytetarëve dhe rikthimin e shpresës.
“Bashkë. Përpara. Kjo është thirrja jonë për ta nxjerrë Kosovën nga situata e rëndë ku e kanë sjellë pesë vitet e fundit të qeverisjes. Sonte, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, z. Bedri Hamza, prezantoi planin e tij që do t’i bashkojë qytetarët dhe do ta çojë Kosovën përpara”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka bërë thirrje për unitet dhe angazhim të përbashkët për të ardhmen e vendit.
“Ky është momenti të ecim të bashkuar. Për ty dhe për Kosovën!”, ka përfunduar Tahiri.