Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar sonte një takim me qytetarët e Fushë Kosovës, ku ka prezantuar vizionin e LDK-së për zhvillimin e qëndrueshëm dhe infrastrukturën moderne.

Abdixhiku tha se Fushë Kosova është një qytet në rritje të vazhdueshme, me familje të reja, të rinj energjikë dhe qytetarë punëtorë, duke theksuar se zhvillimi urban duhet të shkojë paralelisht me cilësinë e jetës.

Në fjalën e tij, ai foli për rëndësinë e ambientit të pastër, rendit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke nënvizuar se infrastruktura nuk përfshin vetëm asfaltin, por edhe shëndetin, mirëqenien dhe perspektivën për brezat e rinj.

Reklamë

Gjatë takimit u diskutua edhe për projektin e Unazës së Kryeqytetit, të cilin Abdixhiku e cilësoi si jetik për lehtësimin e qarkullimit, përfshirë edhe komunën e Fushë Kosovës. Ai përmendi gjithashtu magjistralet dhe autostradat që, sipas tij, duhet ta lidhin Kosovën më shpejt dhe më sigurt përmes një plani kombëtar të infrastrukturës në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.

Abdixhiku bëri të ditur se me qytetarët janë ndarë zotime konkrete dhe një vizion i qartë për katër vitet e ardhshme, i cili synon ta kthejë planifikimin në vepra dhe premtimet në projekte reale.