×
  • Lajme
  • Zgjedhjet 2025

    Paralajmëron Maliqi: Aktiviziohet IFIMES, kujdes – është vërtetuar se kishte lidhje me shërbimin sekret rus

    Reporteri
    27 Janar 2025 | 14:32
    Agon Maliqi, politolog

    Politologu Agon Maliqi, ka alarmuar për aktivizimin e Institutit IFIMIES, i cili në analizën e fundit, veç tjerash thotë se “shtetet e huaja në bashkëpunim me prokurorinë po e përgatisin një skandal kundër kryeministrit Kurti në kulm të fushatës”.

    Maliqi tërheq vërejtjen për kredibilitetin e këtij instituti. Ai pretendon se shërbimet perëndimore kanë vërtetuar lidhjet e IFIMES me shërbimin sekret rus.

    “Kush e aktivizoi institutin IFIMES?

    Nuk e di se si dhe kur pati ndodhur saktë që njëfarë instituti i Lubjanës me emrin IFIMES e pati fituar njëfarë nami në Prishtinë si entitet i besueshëm i analizave politike. Kjo trafikë matrapazësh me 2-3 veta staf, që prodhon “njohuri” në bazë të asaj se kush paguan më shumë, vitet e fundit është vërtetuar nga shërbimet perëndimore se ka pasur lidhje edhe me shërbimin sekret rus. Para pushtimit të Ukrainës pati dalë me disa analiza krejtësisht në linjën e Moskës dhe shpesh shërben si platformë për lansimin e dezinformatave ruse dhe serbe.

    Tani paskan dalur edhe me një analizë për zgjedhjet në Kosovë ku mes tjerash po aludojnë (parafrazoj) se “shtetet e huaja në bashkëpunim me prokurorinë po e përgatisin një skandal kundër kryeministrit Kurti në kulm të fushatës”, dhe e akuzon opozitën në Kosovë se është në krye të një fushate për “katolicizimin dhe bulgarizimin e Kosovës”.

    Mediat në Kosovë duhet të tregojnë kujdes në mënyrën se si i prezantojnë “gjetjet” e këtij “instituti”, si dhe të parashtrojnë pyetje se kush financon dhe bashkëpunon me institute të tilla?”, shkruan Maliqi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!