Kandidati për deputet nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Sejnur Veshall, i renditur me numër dy në këtë listë, ka prezantuar platformën e tij të punës, të cilën e quan pasqyrë të nevojave dhe aspiratave të komunitetit që synon ta përfaqësojë.
Veshall ka theksuar se programi është ndërtuar mbi pesë shtylla kryesore: banimin, shëndetësinë, arsimin, punësimin dhe kulturën, të cilat, sipas tij, përbëjnë bazën e jetës së përbashkët dhe sfidat me të cilat qytetarët përballen çdo ditë.
“Kjo është platforma jonë. Nevojat e komunitetit janë ato të përbashkëtat që i kemi dhe me të cilat përballemi çdo ditë. PREBK i ka përmbledhur në këtë dokument, që është një pasqyrë e sfidave dhe aspiratave që na lidhin,” ka shkruar ai.
Në thirrjen e tij për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Veshall u ka bërë apel qytetarëve që të zgjedhin përkushtimin dhe vizionin që, siç thotë, reflekton shpresat e përbashkëta të komunitetit.
“Është koha jonë. Ju ftoj të zgjidhni të ardhmen tonë – atë të dinjitetit dhe forcës që e gjejmë te njëri-tjetri,” është shprehur ai.