×
  • Lajme
  • Lajme / Darka e punës

    Zgjedhjet e reja, çështje muajsh – çka u tha mbrëmë pas takimit mes Kurtit e Krasniqit

    Reporteri
    14 Maj 2024 | 7:33

    Zgjedhjet e parakohshme ishin temë e diskutimit në një takim dy orësh mes kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi. Krasniqi ishte i vetmi lider opozitar që i shkoi Kurtit në darkën e punës, në të cilën kishte ftuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdxihiku dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj. Që të dy kishin refuzuar ftesën, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    I pari që është deklaruar për mediat  pas takimit, ishte kryetari i PDK-së. Kreu i PDK-së tha se ia ka shprehur Kurtit kërkesën  e PDK-së për shkuarje në zgjedhje të parakohshme.

    “Unë i kam përgjigjur ftesës së kryeministrit Kurti për ta takuar në një darkë pune sepse konsideroj se është shumë e rëndësishme që t’ia shprehi qëndrimet e mia dhe të Partisë Demokratike të Kosovës drejtpërdrejt dhe qartë sesa ku do të takohemi dhe në çfarë formati që është zgjedhja e tij. Ajo që mund të them është evidente se unë dhe Kurti kemi lexime të ndryshme të situatës dhe ndonjëherë edhe preokupimet e qytetarëve nuk janë preokupimet e kryeministrit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

    “Kosova është në agoni, kemi ngritje të çmimeve, paga dhe pensione që nuk u mjaftojnë familjeve kosovare ta lidhin muajin me muaj. Kemi shëndetësi në gjendje të rendë, arsim të degraduar, politikë të jashtme inekzistente dhe për më shumë një parlament jofunksional, nga java në javë barten pikat pa u kalu. Kemi edhe një situatë të vështirë për anëtarësimin e Kosovës në KiE që nuk ka asnjë siguri që kjo do të ndodhë, përkundrazi duket që do të jetë një dështim.

    “Kryeministrit Kurti ia shpreha këtë qëndrim. Jemi të gatshëm që të gjejmë dakordësim për një datë të re të zgjedhjeve. Unë kam punuar për këtë çështje pa dëshiruar ta marrë flamurin e protagonizmit. Zgjedhjet janë nevojë. Këto ishin thelbi i diskutimi të sotëm”, ka shtuar Krasniqi.

    Krasniqi u ka bërë thirrje partive të tjera opozitare Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ta mbështestin nismln për shprndarjen e Kuvendit në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Kosova është në agoni! Neve na shqetëson shumë fakti që ka shumë bashkëqytetarë që e kanë të vështirë ta lidhin muajin me muaj. Çmimet janë rritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta dhe familjet kosovare po përballen me vështirësi të ndryshme. Në anën tjetër, qeveria nuk po bën sa duhet për ta. Mbi këtë premisë, konsideroj se duhet të mblidhemi sa më parë të gjithë liderët e partive politike parlamentare dhe, me konsensus të përbashkët e pa protagonizëm individual, të vendosim për datën e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe për shpërndarjen e kësaj legjislature të paralizuar. Uroj që edhe partitë e tjera të mbështesin një nismë për shpërndarjen e Kuvendit. Stagnimi i theksuar i shtetit, posaçërisht në ekonomi, por edhe në rrafshin ndërkombëtar, nuk mund të presë më shumë.”, ka shkruar ai.

    Sipas Krasniqit, zgjedhjet e parakohshme nuk janë më një dëshirë politike – por një domosdoshmëri nacionale.

    “PDK është gati! I gjithë vendi është gati!”, u shpreh ai.

    Krasniqi thirrje LDK-së e AAK-së që të mbështesin nismën për shpërbërjen e Kuvendit: Zgjedhjet domosdoshmëri

    Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti pas ka thënë se është i interesuar që të diskutojë me subjektet politike për datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.

    Kohë më e mirë për zgjedhje sipas tij janë pranvera ose vjeshta.

    Kurti ka thënë se me Krasniqin kanë diskutuar edhe për rëndësinë e një komunikimi më të mirë në ditët në vijim, me qëllim të miratimit të 13 marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në pritje për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës.

    “I falënderoj udhëheqësit e PDK-së, Krasniqin e Tahirin që iu përgjigjen ftesës. Diskutuam çështjet e aktualitetit politik por me theks të veçantë tek agjenda legjislative. Kemi 13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për tu votuar. Na nevojitet mbështetja e opozitës. Diskutuam për situatën në përgjithësi edhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, gjithashtu sa i përket mundësisë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt por dihet që unë tashmë kam hyrë në vitin e fundit të mandatit tim qeverisës”.Ai ka thënë se do t’i vazhdojë diskutimet për zgjedhje edhe me partitë tjera opozitare.

    “Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë. Le ta diskutojmë, por nuk dua që për këtë ta imponoj vullnetin tim ose të them se kështu se nuk mundet ndryshe. Ta bëjmë debatin në fushatë zgjedhore pasi të jemi pajtuar për zgjedhje”.

    “Darka ka zgjat shumë, nuk jemi takuar kaherë, kishim shumë gjëra për të diskutuar me Krasniqin”. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!