Në Slloveni, dikush ka vjedhur një statujë të Melania Trump të vendosur pranë qytetit të saj të lindjes, Sevnica, raporton The Guardian . Policia po heton vjedhjen e statujës, e cila, sipas policisë , u raportua më 13 maj.
Policia dhe krijuesi i statujës prej bronzi, artisti konceptual amerikan Brad Downey , konfirmuan se statuja ishte prerë në kyçet e këmbëve dhe ishte hequr.
Downey tha se mësoi për vjedhjen ndërsa po përgatiste një projekt të ri në Gjermani dhe tha se ishte i trishtuar që statuja e Melanias ishte zhdukur. “Kam një ndjesi se ka të bëjë me rizgjedhjen e Donald Trump si president, por kush e di”, tha Downey për AFP-në.
Ky është incidenti i dytë që përfshin statujën e Melania Trump pranë Sevnicës.
Statuja e parë origjinale, e gdhendur në dru me sharrë elektrike nga artisti slloven Ales Zhupevc, iu vu flaka nga dikush dhe më pas Downey vendosi të bënte një statujë prej bronzi në madhësi reale. Një statujë bronzi e vendosur mbi një trung përpara një fushe të gjerë u zbulua pranë Sevnicës në vitin 2020.