Qindra pasaporta diplomatike nuk kanë shkuar në duart e njerëzve që i kanë porositur ato në muajt e fundit nga kompania: A.L. DUSHI SH.P.K. e kontraktuar nga ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që drejtohet nga Donika Gërvalla-Schwarz.
Pas zhdukjes së qindra dokumenteve, MPJD-ja e ka ndërprerë kontratën me operatorin ekonomik për shërbimet postare diplomatike është ndërprerë të enjten.
Për këtë ka reaguar edhe vetë ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ajo e ka mohuar se dokumentet janë zhdukur, por sipas saj, ka vetëm vonesë në mbërritjen e tyre në destinacion.
“E vërteta është se asnjë dokument nuk ka humbur. Bëhet fjalë për një vonesë në mbërritjen e tyre në destinacion e përcaktuar – çështje kjo të cilën MPJD e ka adresuar me vendosmëri tek organet kompetente dhe duke e shkëputur kontratën me operatorin, i cili përkundër refuzimit të bazuar të MPJD-së, ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe jo nga MPJD.”, ka shkruar ajo.
Madje Gërvalla po pretendon se për këtë skandal po flasin “me të madhe ata që ua mbyllëm derën e mashtrimit, keqmenaxhimit, ryshfetit, korrupsionit dhe blerjes së gradave diplomatike”.
Gërvalla po pretendon se këto janë sulme të reja të mbështetura në dezinformata “ duke publikuar tituj që reflektojnë dëshirën e tyre dhe të financuesve të tyre për ta parë Kosovën të dëmtuar e të njollosur, por jo realitetin e ri ku ligji tashmë sundon në terësi.”
“Këto deklarata nuk janë asgjë më shumë se shpifje të turpshme dhe përpjekje të dëshpëruara për të manipuluar opinionin publik.”, ka thënë ajo.
Gërvalla tha se MPJD vazhdon me përkushtim t’u shërbejë mërgimtarëve.
Gazeta online Reporteri.net ka publikuar sot vendimin për ndërprerjen e kontratës, ku përmendet se 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie s’kanë arritur në destinacione. Për këto dokumente Reporteri.net mëson se janë zhdukur.
Para se të reagonte ministrja Gërvalla, edhe ministria që ajo drejton doli me një sqarim.
Në njoftimin e MPJD’së thuhet se nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara, por nuk është treguar se ku ndodhen këto dokumente, shkruan Reporteri.net.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaron që nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara. MPJD siguron qytetarët e Kosovës se pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se asnjë tolerim nuk do të ketë për operatorët që cënojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”, thuhet në reagim.
Zhdukja e qindra pasaportave dhe letërnjoftimeve, MPJD del me arsyetime
Për këtë raportim pati reagime të shumta edhe nga partitë opozitare në Kosovë.
LDK kërkon llogari për skandalin me dërgesat diplomatike ku u zhdukën qindra dokumente