Kryeministri Avdullah Hoti po vazhdon vizitën e tij në Itali, përkundër zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë, ku u konfirmuan aktakuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veseli, të cilët para pak minutash u nisën drejt Aeroportit për të shkuar në Hagë.
Hoti ka njoftuar se ndodhet në Vatikan.
“Një takim shumë i frytshëm me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin. Eminencën e Tij, Kardinalin Parolin, e kam falënderuar për mbështetjen e Selisë së Shenjtë për popullin e Kosovës, duke kontribuar kështu për paqen e qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Parolin, biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe të komunikimit përmes marrëveshjeve të mirëkuptimit, që do të rezultonte me njohje të vlefshme të sistemit të vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve”, ka njoftuar Kryeministri.
Megjithatë Hoti nesër pritet të kthehet në Kosovë, pasi për në ora 09:00 të mëngjes ka thirrur mbledhje të qeverisë.
Në njoftimin e Kryeministrisë bëhet e ditur se pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Hoti do të mbajë konferencë për media.
Pika e vetme e rendit të ditës do të jetë “zhvillimet politike në vend”. /Reporteri.net/.