Pas zjarrit të madh që ka përfshirë një fabrikë në Parkun e Biznesit në Drenas, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci. Përmes një thirrjeje në një paraqitje për media, ai ka kërkuar ndihmën e KFOR-it që “me helikopterë me ardhë me gjuajt ujë dhe me zvogëlu sa ma pak këtë zjarr”, përcjell Reporteri.net.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se zjarri i cili ka kapluar fabrikën e plastikës në Parkun e Biznesit në këtë komunë, ka shkaktuar katastrofë materiale dhe ekologjike.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka ftuar për ndihmë edhe kolegët e nivelit lokal, edhe të nivelit qendror, për shuarjen e zjarrit.
“Falënderoj zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, inspektoratet dhe të gjithë të tjerët që po ndihmojnë në shuarjen e zjarrit. Rreth objektit që po digjet janë në gatishmëri ekipet e zjarrfikësve për të mos lejuar përhapjen e zjarrit në fabrikat tjera. Në përkrahje të zjarrfikësve të Drenasit, kanë arritur edhe njësitë tjera zjarrfikëse nga Malisheva, Skenderaj, Lipjani e Prishtina dhe i falënderoj për shpejtësinë e reagimit”, ka thënë ai.
Lladrovci ka shkruar se zjarri ka përparuar shumë shpejtë për shkak të erërave të forta.
“Kam shprehur keqardhje për pronarët e fabrikës, për dëmet në fabrikë, pajisje, objektet, si dhe materialit riprodhues. Tymi i madh nga djegia e fabrikës ka arritur në vendbanimet e fshatrat e Drenasit, Skenderajt e deri në Mitrovicë, dhe është po ashtu katastrofë ambientale me ç ‘rast qytetarët kanë ankesa për ndotjen dhe dëmet që po ju shkaktohen”, ka shkruar tutje Lladrovci në profilin e tij në Facebook.